Dy mundësit që garuan për Shqipërinë në Lojërat Olimpike dhe fituan medalje bronzi, Valjev dhe Dudaev bën krenar të gjithë sportdashësit shqiptarë dhe jo vetëm.
Për këtë arritje historike, dy medalistët e Shqipërisë edhe do të shpërblehen nga qeveria.
Siç parashikohet në ligjin e sportit të miratuar në vitin 2021, medalistët me medalje bronzi shpërblehen me 5 milionë lekë të reja dhe do të marrin dhe gradën kolonel.
Një tjetër arritje historike për Shqipërinë në Lojërat Olimpike Paris 2024. Mundësi Islam Dudaev i ka siguruar vendit tonë medaljen e dytë të bronztë.
Mundësi nga Çeçeni i natyralizuar në shqiptar, fitoi medaljen e bronztë kundër hungarezit Iszmail Muszukajev me rezultatin 13-12, në kategorinë 65 kilogramë stil i lirë.
Dudaev e nisi mirë me dy kapje dhe hedhje, duke e çuar rezultatin menjëherë në 6-0. Më pas, rezultati kaloi në 8-4 pas një aksioni ku u desh përsëritja. Hungarezi ngushtoi diferencën me 2 pikë të tjera dhe raundi i parë u mbyll me shifrat 8-6 për mundësin e Shqipërisë.
Muszukajev u hodh në sulm por Dudaev u përgjigj shpejt me 4 pikë radhazi duke siguruar avantazh të rëndësishëm për minutat e fundit. Kundërshtari i tij u mundua të kthente fatin e ndeshjes, teksa barazoi 12-12, por një pikë e fundit e siguruar nga Dudaev i dha atij medaljen e bronztë, të dytën për Shqipërinë në këto Lojëra Olimpike.
29-vjeçari një ditë më para u eliminua në çerekfinale, por për shkak se kundërshtari shkoi deri në finale u rikualifikua dhe sot kishte dy ndeshje për medaljen e bronztë. Fillimisht përballja kundër amerikanit u anulua pasi kundërshtari ishte mbi peshë, ndërsa në ndeshjen e medaljes Dudaev arriti të fitonte 13-12 kundër hungarezit.
Një ditë më parë Chermen Valiev fitoi të bronztën në kategorinë 74 kilogramë duke sjellë edhe medaljen e parë për Shqipërinë.