Bota

Listeria te kremviçet “Wurstel”, Italia tërheq prodhimet e para 12 shtatorit!

Në Itali, vëmendja mbetet e lartë pas rritjes së rasteve klinike të listeriozës ushqimore, e regjistruar në rajone të ndryshme të vendit fqinj, për shkak të kontaminimit të ushqimeve nga bakteri listeria te kremviçet “Wurstel”. Ministria italiane e Shëndetësisë njoftoi se nga kontrollet e kryera nga grupi i punës u zbulua një lidhje midis disa prej rasteve klinike dhe pranisë së këtij bakteri te kremviçet “Wurstel” të prodhuara me mish pule nga ferma “Tre Valli”.

Prania e bakterit u konfirmua gjithashtu nga analizat e kryera nga vetë fabrika. Kompania ka ndërmarrë të gjitha masat për mbrojtjen e konsumatorit, në zbatim të parimit të kujdesit maksimal duke tërhequr produktet që kanë rezultuar pozitive dhe që janë prodhuar përpara datës 12 shtator 2022.

Aktualisht po zhvillohen hetime të mëtejshme për lloje të tjera produktesh që mund të lidhen me rastet e bakterit. Nga viti 2020 e deri më sot, në Itali kanë vdekur tre persona dhe janë identifikuar 66 raste klinike me listeriozë. Zbatimi i rregullave të higjienës së duarve dhe sipërfaqeve zvogëlon rrezikun e prekjes nga listerioza, një sëmundje e shkaktuar nga bakteri Listeria.

Listeria monocytogenes, përgjegjëse për listeriozën, është një bakter që mund të jetë i pranishëm në tokë, ujë dhe bimësi dhe mund të kontaminojë ushqime të ndryshme si qumështi, perimet, djathërat e buta, mishi i papjekur dhe salsiçet pak të stazhionuara. Rruga kryesore e transmetimit tek njerëzit është ushqimi. Ashpërsia e simptomave varion nga format e gripit ose ato gastrointestinale, ndonjëherë të shoqëruara me temperaturë të lartë deri te format septikemike, si meningjiti ose aborti.

Një javë më parë, alarmi për praninë e Listerisë bëri që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, AKU t’i kërkonte qytetarëve në vendin tonë, të mos konsumojnë produkte “Wudy”, për shkak të problemeve në disa lote dhe për të shmangur çdo komplikacion shëndetësor.  AKU reagoi pas analizave laboratorike të kryera në Itali.