Aktualitet

Llagami: “Gjykatat e Apelit problematike!”

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami raportoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut lidhur me veprimtarinë e institucionit që drejton për 2020-ën.

Llagami veçoi si më problematiket Gjykatat e Apelit.

Nuk jemi krenarë se është shumë e vështirë, kemi pasur humbje njerëzore për shkak të Vetting-ut. Lidhur me Vetting-un, janë shkarkuar 13 gjyqtarë me vendim të formës së prerë, 25 të tjerë të pezulluar duke përfituar 75% të pagës ose 30 milionë lekë por nuk vazhdojnë dot të gjykojnë çështjet dhe efekti financiar i Vetting-ut me shkarkimin apo pezullimin e 75 gjyqtarëve është 55 milionë lekë në Buxhetin e Shtetit. Shpenzohen lekë, por nuk ofrohen dot shërbime!

Përveç kostove financiare dhe mungesës së gjyqtarëve është edhe hezitimi për të aplikuar në KLGJ. Gjykata e Apelit është shumë problematike, kjo është thembra e Akilit. Nga 78 gjyqtarë që duhet të jenë, janë 25. Në fund të vitit ishin 27, çdo ditë e më shumë ulet ky numër.

Sipas Llagamit, “Apeli Administrativ ka uljen më të madhe të efektivitetit të çështjeve”.

Për një çështje që të gjykohet në Apel duhen 2-3 muaj në rrethe ndërsa një qytetar i Tiranës duhet të presë 4 vjet. Grupimi i Apeleve do mundësonte që gjykimi i çështjeve të ishte i drejtë dhe i barabartë. Gjykatat janë në kolaps!

Duke folur për Gjykatën e Lartë, Llagami theksoi se shumë shpejt do të ketë 15 anëtarë çka do të zhbllokojë dhe kuorumin për të emëruar anëtarët në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata e Lartë është nga më të rëndësishmet. KLGJ ka mbajtur të njëjtën qasje, kandidatët të përfundojnë Vetting-un e më pas të vijohet me vlerësimin profesional. Vonesë tjetër është edhe mungesa e vlerësimeve etike e profesionale. KLGJ ka punuar me dy vlerësime për secilin kandidat dhe ka qenë e suksesshme. Sot ka 6 anëtarë në Gjykatën e Lartë.

Kemi ende vende të pashpallura nga KLGJ, një nga shkaqet që nuk mund t’i shpallim është se kemi një trupë shumë të vogël. Në vendet që kemi hapur, Gjykata e Lartë do të ketë shumë shpejt 15 gjyqtarë, 15 anëtarë duke mundësuar dhe zhbllokimin e kuorumit për të emëruar anëtarët në Gjykatën Kushtetuese!