Bota Tech

Llogaria e Trump u pezullua, reagon themeluesi i Twitter-it!

“Vendim të drejtë por shembull të rrezikshëm” e cilëson themeluesi i Twitter-it bllokimin që i bëri llogarisë së Presidentit në ikje të Amerikës, Donald Trump pasi më 6 janar, mbështetës të tij sulmuan Kongresin. Jack Dorsey pranon se vendoset një precedent i rrezikshëm sa i përket pushtetit të kompanive të mëdha.

Sipas tij, ky rrjet social “është përballur me rrethana të jashtëzakonshme, duke na detyruar të gjithëve që të fokusohemi në veprimet tona për siguri publike”. Twitter ka fshirë llogarinë e Trump-it javën e kaluar, duke cituar rrezikun e dhunës në të ardhmen, pas sulmit në Kongres nga mbështetësit e Presidentit.

Dorsey ka thënë se çdo sulm që ndodh jashtë, si pasojë e gjuhës online “është ajo që ka të bëjë me politikat tona”. Dorsey gjithashtu thekson se “kanë dështuar në promovimin e një dialogu të shëndetshëm”.

Megjithatë, ai ka thënë se bllokimi i Trump-it përbën shembull, që sipas tij është i rrezikshëm, rreth “fuqisë së një individi apo një korporate që ka në bisedën publike globale”. Përveç platformës Twitter, edhe Facebook dhe rrjete të tjera sociale kanë fshirë llogaritë e Trump-it.