Aktualitet

Llogaritë e borxhit publik, pagesat për interesa do të katapultojnë në gjysmë miliardi euro

Arka e shtetit është vënë nën presionin e borxhi publik këtë vit, jo sa për përmasat e tij, se sa për interesat që do të shtrenjtohen ndjeshëm dhe për kalendarin e ripagesave të detyrueshme.

Bankat qendrore në të gjithë botën kanë vijuar rritjen e normës bazë të interesit, për shkak të çmimeve ende të larta. Dhe kjo po ndikon drejtpërdrejt edhe në rritjen e kostove të shërbimit të borxhit të ri.

Raporti i ri i Ministrisë së Financave për monitorimin e borxhit, zbulon se shpenzimet për interesa u rritën vitin e shkuar në 39.6 miliardë lekë, gati 11% më shumë se në 2021-in. Por efekti më i madh pritet të jetë në vitin 2023 e në vijim.

Vetëm këtë vit, buxheti planifikon të paguajë 60.9 miliardë lekë, apo mbi 537 milionë euro, për interesa. Ndërsa në vitin 2025 do të arrijnë deri në 79.7 miliardë lekë, dyfishi i asaj çfarë paguanim para luftës në Ukrainë.

Qeveria deklaron se hasi vështirësi në marrjen e borxhit gjatë 9-muajve të parë të vitit të shkuar, por situata u përmirësua në fund të vitit, pas stabizilimit të interesave dhe fushatës drejtuar qytetarëve për të investuar në letra në vlerë.

Megjithatë në ankandin e parë pas vendimit të fundit të Bankës së Shqipërisë për të rritur normën bazë, bonot e thesarit 12-mujore u shtrenjtuan sërish.

E njëjta situatë edhe në tregjet evropiane, ku qeveria synon të dalë këtë vit me një eurobond prej 500 milionë eurosh. Ministrja e Financave ka bërë të ditur se operacioni nuk do të realizohet nëse interesat do të jenë të larta.

Por qeveria gjendet përballë detyrimit për të ripaguar plot 80.3 miliardë lekë, apo 708 milionë euro dhe eurobondi do të shërbente pikërisht për të shlyer një pjesë të këtij borxhi.