Aktualitet Politikë

Llogaritë offshore të Kryemadhit, Rama: Drejtësia të provojë se nuk punon me dy standarde!

Edhe kryeministri Rama reagoi pas publikimit nga televizioni kombëtar Top Channel të financimeve dhe pagesave të dyshimta të Monika Kryemadhit nga kompani offshore të kontrolluara nga biznesmenë rusë të naftës. Rama u shpreh se verifikimi ligjor  është domosdoshmëri dhe drejtësia duhet të provojë se nuk punon me dy standarde.

Ах, рубли, рубли, каким большим дьяволом всегда были… Po ç’paskeni qenë o rubla që na i morët me radhë me motra e me vëllezër opozitarë! Po ato konto bankare offshore çfarë janë vallë se këtyre u mbinë në gojë offshore-t, po i paskan pasur të tyret shejtanët e shejtanet.

Verifikimi ligjor i atyre letrave të pista dalë në mexhelis në ekranet e mëdha kombëtare është domosdoshmëri dhe drejtësia duhet të provojë se nuk punon me dy standarde, siç punojnë altoparlantët e llojllojshëm të lukunisë kinse opozitare që për këto tmerre as nuk bëzajnë fare.

Më herët gjatë ditës, për këtë çështje u pyet edhe krytari i grupit socialist, Taulant Balla:

Në cilin vend të Europës sonë të përbashkët do të dilte një politikan i këtij niveli, në kohën në fjalë edhe si bashkëshorte e Presidentit të Republikës, pra flas për vitin 2017, ku paske një llogari, jo në një bankë në offshore… Ju mbani mend para pak kohësh kur doli Panama Papers, se çfarë tërmeti shkaktoi vetëm fakti i qenies së emrit të një politikani në një vend të caktuar apo në një vend tjetër, në llogaritë bankare të offshore-ve në Panama dhe e dini fare mirë se në shumicën e vendeve, të gjithë politikanët e përfshirë dhanë dorëheqjen dhe u larguan, por organet ligjzbatuese të vendeve përkatëse që lidhen me pastrimin e parave, hetimin, në rastin tonë Prokuroria, filluan menjëherë hetimet.

Kjo gjëja ka të bëjë me transparencën. Unë nuk dua të paragjykoj, nuk dua të bëj as prokurorin, as gjyqtarin.

Mendoj se vetë personi, rasti i zonjës Kryemadhi apo të gjithë personat e tjerë, në të gjitha rastet duhet të dalin vetë në një komunikim publik. Të thonë: po, kjo nuk është e vërtetë.

Por, në këtë rast është edhe shteti. Çfarë duhet të bëjë shteti? A është prekur siguria kombëtare në këtë rast? Unë mendoj që po! Fakti që merr divident apo je aksioner në një shoqëri tregtare ku në atë shoqëri tregtare janë aksionerë miqtë e Vladimir Putinit, kjo është e rëndë.