Bota Tech

Llogaritë personale të ish-presidentit Donald Trump në Facebook dhe Instagram janë rikthyer sërish!

Llogaritë e ish-presidentit Donald Trump në Facebook dhe Instagram janë rikthyer, tha një zëdhënës i kompanisë të enjten. Rivendosja pritej pasi Nick Clegg, presidenti i Facebook për çështjet globale, njoftoi në fund të janarit se pezullimi do të hiqej. Facebook së pari pezulloi llogaritë e Trump pas sulmit të 6 janarit, fillimisht si një ndalim i pacaktuar që përfshinte dy javët e fundit të presidencës së tij. Ndalimi më pas u zgjat zyrtarisht për dy vjet.

“NBC News” raportoi në janar se kompania, e cila tani quhet Meta dhe përfshin Facebook, Instagram dhe platforma të tjera duke përfshirë WhatsApp, kishte vendosur të rivendoste llogaritë e Trump, duke synuar të siguronin rregulla të qarta për të penguar përsëritjen e shkeljeve. Trump gjithashtu u rikthye kohët e fundit në Twitter, ku ai ishte ndaluar që nga 8 janari 2021. Por Trump ende nuk ka postuar në Twitter, përkundrazi vazhdon të postojë në Truth Social, platformën e ngjashme me Twitter që ai themeloi.

Që nga fillimi i pasdites së së enjtes, asnjë postim i ri nuk ishte publikuar në llogaritë e Trumpit në Facebook ose Instagram. Postimi më i fundit në Instagram, i datës 5 janar 2021, promovoi mitingun “Save America” ku ai do të inkurajonte mbështetësit e tij të marshonin në Kapitol. Postimi i tij i fundit në Facebook para pezullimit bëri thirrje që njerëzit të largoheshin nga Kapitol. Në postim thuhej:

Unë po kërkoj që të gjithë njerëzit në SHBA të qëndrojnë paqësorë. Jo dhunë! Mos harroni, ne jemi Partia e Ligjit dhe Rendit. Respektoni ligjin! Faleminderit!