Sport

Lojërat Mesdhetare të Algjerisë, Medalje e Artë për Luiza Gegën!

Në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, të cilat po mbahen në Algjeri, atletja shqiptare Luiza Gega fitoi Medaljen e Artë, duke vendosur kështu edhe rekord të ri kombëtar në garën 3000 metra me pengesa. Gega udhëhoqi bindshëm që nga fillimi i garës dhe dominoi ndaj atleteve të tjera, duke u shkëputur ndjeshëm, ndërsa e përfundoi me kohën rekord: 9 minuta, 14 sekonda e 29 të qindtat.

Pas titullit Kampione e Ballkanit në këtë garë gjatë muajit qershor, Luiza Gega tregoi se është atletja më e mirë e momentit në garën 3000 metra me pengesa. Ajo është mbajtësja në fuqi e rekordit të Lojërave Mesdhetare të vendosur 4 vjet më parë. Kjo është medalja e dytë e artë radhazi në Lojërat Mesdhetare, pas asaj të “Tarragona 2018” në Spanjë. Gega ka përmirësuar kështu rezultatin e një muaji më parë 9:15.48 që kishte arritur në Hengelo të Holandës.

Meta: Respekt për Kampionen tonë të atletikës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta përgëzoi arritjen e atletes shqiptare në Algjeri.

Luiza Gega i dhuron Shqipërisë një tjetër Medalje të Artë në Lojërat Mesdhetare. Shumë urime dhe respekt për Kampionen tonë të Atletikës!

Kushi: Urime të përzemërta kampiones

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi përcolli entuziazmin e saj për Medaljen e Artë të atletes Luiza Gega. Në një mesazh në rrjetet sociale lidhur me këtë sukses, Kushi shkruan:

Urime të përzemërta kampiones sonë Luiza Gega për fitoren e merituar të Medaljes së Artë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”!

Veliaj: Medalje e Artë për Kampionen tonë absolute

Lajmin e përcolli edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili përmes një mesazhi në rrjetet sociale, gjithashtu përgëzoi atleten, duke u shprehur krenar për të.

Medalje e Artë për Kampionen tonë absolute, Luiza Gega! Një arritje e jashtëzakonshme për atleten, e cila vendosi edhe rekord të ri kombëtar në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022” në garën e 3000 metra, e me pengesa. Krenar për ty!