Sport

Lojërat Olimpike Dimërore ‘Pekin 2022’/ Delegacioni kuqezi niset drejt Kinës!

Pekini ka hapur dyert për pjesëmarrësit në Lojërat Olimpike Dimërore. Shqipëria në këtë garë botërore të sporteve të bardha do të përfaqësohet nga 18 vjeçari Deni Xhepa, i cili do të garojë në sllallom dhe sllallom gjigant. Ai është përzgjedhur përgjatë Kampionatit Kombëtar të Skive, të zhvilluar në Alpet e Italisë.

Sipas traditës olimpike edhe Tirana zhvilloi ceremoninë e dorëzimit të flamurit delegacionit që do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike Dimërore, në Pekin.

Deni Xhepa do të jetë flamurmbajtësi i delegacionit olimpik kuqezi në ceremoninë e hapjes.

Në një ceremoni në Tiranë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dorëzoi flamurin olimpik për delegacionin shqiptar, pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit. Ajo premtoi mbështetje për sportin.

“Sporti i bën njerëzit bashkë me paqe, harmoni, si një familje e madhe. Sportistët e rinj medalistë për ne kanë një vlerë të veçantë. Sot shpreh mbështetjen personale dhe institucionale për sportin dhe sportistët e rinj.

Ka nevojë emergjente për më shumë investime, sidomos në infrastrukturën sportive. Veçanërisht në sportin e skive investimet në pista skish, jo vetëm ndihmojnë zhvillimin e këtij sporti, por dhe të turizmit”, u shpreh ministrja Kushi.

Ndër të tjera ajo shtoi se edhe pse e ka të pamundur të jetë pjesëmarrëse në Kinë e këtyre Lojërave, ndjehet krenare dhe ka besim se sportistët atje do të ngrenë flamurin shqiptar, duke na bërë krenarë.

Ambasadori i Kinës në Tiranë, Zhou Ding duke vlerësuar përfaqësimin e Shqipërisë në Lojërat Olimpike në Pekin, theksoi se kjo Olimpiadë përkon me Vitin e ri kinez, që sivjet është viti i Tigrit.

“Shqipëria gjithmonë ka qenë një pjesëmarrëse aktive në Lojërat Olimpike dhe promovuese e shpirtit olimpik. Pres me padurim që delegacioni të arrijë rezultate të mira, duke u bërë ambasador i miqësisë.

Mbajtja e Lojërave olimpike dimërore është manifestim i Kinës i përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare. Në 6 vitet e fundit Kina ka ndjekur konceptin “të gjelbra, gjithëpërfshirëse, të hapura dhe të pastra “për të përgatitur Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit. Kemi besim të plotë t’i ofrojmë botës një olimpiadë të efektshme, të sigurtë dhe të shkëlqyer. Viti i ri kinez po vjen. Në kulturën tonë tigri simbolizon guxim dhe forcë. Le të frymëzohemi nga shpirti “më shpejt, më lart, më fort së bashku” për të mposhtur të gjitha vështirësitë që kemi përpara. Së bashku për një të ardhme të përbashkët”, tha kryediplomati kinez në Tiranë.

Ndërsa për kryetarin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, është shumë e rëndësishme pjesëmarrja në të gjitha edicionet e Lojërave Olimpike.