Bota

Londra: Kievi po i rrit presionin forcave ajrore ruse!

Sipas një raporti të përditshëm të Inteligjencës britanike, “forcave ajrore ruse po i rritet presioni nga ana e Ukrainës”. Ministria e Mbrojtjes thekson se “në dhjetë ditët e fundit, Rusia ka humbur katër avionë ushtarakë, duke e çuar totalin në 55 avionë që nga fillimi i luftës”.

Rritja e kësaj shifre mund të jetë shkaktuar pasi forcat ajrore ruse janë duke ndërmarrë rreziqe për të mbështetur forcat tokësore, duke qenë se trupat ukrainase po përparojnë. Gjithashtu ndërgjegjësimi i pilotëve rus ka qenë i dobët.

Mungesa e vazhdueshme e mbështetjes ajrore nga ana e Rusisë është një nga arsyet kryesore që po çon në dobësimin e operacionit në Ukrainë. Çdo ditë, Londra zyrtare publikon përditësime mbi luftën, bazuar në raportet e Inteligjencës që kur Rusia shpalli fillimin e agresionit, më 24 shkurt. Moska e akuzon Londrën për një fushatë dezinformimi.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përmend “një seri fitoresh” në fushëbetejë kundër forcave pushtuese ruse, por gjithashtu paralajmëron rreziqe të reja.

Presidenti amerikan, Joe Biden tha se “edhe pse ukrainasit po mposhtin Rusinë, ende ka shumë punë për të bërë”.

Gjenerali i ushtrisë amerikane, Mark Milley, gjatë një vizite në Poloni shprehu shqetësimet për mënyrën si mund të reagojë Moska ndaj pengesave në këtë betejë, duke u kërkuar trupave amerikane në Europë dhe aleatëve, të jenë në gjendje të lartë gatishmërie.

Më herët gjatë ditës, ushtria e Ukrainës njoftoi se trupat e saj kishin vendosur një urë në lumin Oskil, në kundërofensivën e tyre në rajonin verilindor të Kharkivit, ku duket se këtë muaj kanë rimarrë mijëra kilometra territor.

Javën e kaluar, Zelensky deklaroi se Ukraina ka rikthyer mbi 6 mijë kilometra katrorë të territorit të pushtuar nga forcat ruse.