Rajoni

Londra zyrtare sanksione dy politikanëve serbë të Bosnjes!

Britania e Madhe ka sanksionuar dy politikanë serbë të Bosnjës, Milorad Dodik dhe Zhelka Cvijanoviç, për shkak të atyre që Londra i cilëson “përpjekje që kanë bërë për të minuar legjitimitetin e Bosnje-Hercegovinës”.

Sanksionet, të cilat përfshijnë ngrirje të aseteve dhe ndalesa në udhëtim, janë të parat kundër zyrtarëve në Bosnje që bëhen të ditura nga Mbretëria e Bashkuar. Dodik është anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, ndërsa Cvijanoviç, presidente e entitetit Republika Sërpska.

Në një deklaratë të lëshuar sot nga autoritetet britanike, thuhet:

Të inkurajuar nga sistemi i Rusisë për minimin e rregullave ndërkombëtare, të dy individët kanë përdorur pozitat e tyre të autoritetit për të çuar përpara shkëputjen de facto të Republikës Sërpska, një prej dy entiteteve të Bosnje-Hercegovinës, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e shtetit.

Më 5 janar të këtij viti, Departamenti Amerikan i Shtetit vuri gjithashtu sanksione ndaj Dodikut. Departamenti amerikan i Thesarit nënvizonte se “sanksionet shprehin përkushtimin e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për të promovuar llogaridhënien për ata që ndër të tjera, minojnë stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj marrëveshjeve afatgjata të paqes”.

Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën. Një organizim i tillë u bë me të ashtuquajturën Marrëveshje e Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.

I dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar iu referua Bosnjës si shteti më i korruptuar në Europë dhe akuzoi politikanët atje për “korrupsion nën maskën e interesave kombëtare”. “Njerëzit nuk mund të punësohen pa lidhje korruptive. Kjo e dëmton Bosnjën më shumë se çdo gjë, ndaj njerëzit po largohen nga vendi”, – tha Escobar. Zyrtari i lartë i Uashingtonit përsëriti thirrjen për vendet e Ballkanit Perëndimor që të kenë në fokus të tyre luftën antikorrupsion.