Pasò

Lorik Cana në Pasó: “Drejtësi për Klodianin, jo dhunës e anarkisë…”

Në emisionin sportiv “Pasó” në Top Albania Radio ishte i ftuart në linjë telefonike kapiteni legjendar i Shqipërisë, Lorik Cana.

Cana është ish-futbollisti i kombëtares dhe një emër i njohur për të gjithë, sidomos për sportdashësit. Gjatë një interviste me Denis Dyrnjaja dhe Glenti Nallbani, ai u pyet se çfarë mendimi kishte për këto trazirat që kanë përfshirë Tiranën.

“Në fakt unë këto dy-tre ditët e fundit kam qenë në Shqipëri dhe dje në darkë jam kthyer në Itali dhe kam qenë duke u marrë me punët e ‘Champions League’ dhe me ‘Fondacionin’. Ngjarjen e kam parë nëpërmjet rrjeteve sociale, më pas kam parë lajmin në televizor dhe kam marrë me qindra mesazhe nga njerëzit… Të nesërmen isha pak më shumë i përfshirë me ngjarjen dhe patjetër që dua të dal me një mesazh për të kërkuar drejtësi për Klodianin. Në këtë rast jemi fokusuar te veprimi i një efektivi të policisë, i cili ka bërë një gabim fatal, një gabim të rëndë që i ka kushtuar jetën një djali të ri. Sa i përket protestës, absolutisht jam kundër çfarëdolloj dhune, sidomos ku ka të bëj me dhunë ndaj pronave publike e rendin… Jam i sigurtë që do të vendoset drejtësia, djalin nuk e kthejmë dot mbrapsht, sigurisht më e vështirë është për familjarët e tij, por kemi një procedim që nuk mund të ndodhë më se kjo mund t’i ndodhë çdokujt prej nesh, kështu që thjesht të urojmë që kjo të mos ndodhë më dhe të mësojmë nga ky rast.”

Loriku rrëfen gjithashtu se ka qenë gjithmonë i matur politikisht, pa u përfshirë shumë në çështje të tilla, pra sipas mendimit të tij ky rast nuk duhet të përdoret nga politika, duhet të merret vendimi dhe gjykimi i duhur për krimin, kjo është drejtësia e vetme.

“Ky është një rast shumë i rëndë, që duhet të merret vendimi i duhur dhe të mësojmë nga kjo për të ecur përpara” -shton Cana.