Aktualitet Politikë

LSI kundër PD-së, i hedh poshtë deklaratat e fundit për mandatet!

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili deklaroi sot se nuk ka pasur kurrë propozim nga PD për mandate apo numra mandatesh. Në një dalje për mediat pas deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së Gazment Bardhi, Vasili tha se “thashethemexhinj e zëdhënës të pazarit Rama-Basha janë lëshuar mediave, për të krijuar alibi për këtë Pazar”.

Të nderuar qytetarë dhe qytetare, jemi këtu së bashku në këtë komunikim me vendimin e prerë për të mos heshtur më. Mediave shqiptare e rrugëve janë lëshuar thashethemaxhinj e zëdhënës të pazarit Rama-Basha për të përzierë e për të fshehur e për të krijuar alibi për këtë pazar, e duke dashur të zënë me gojë dhe LSI. Në respekt të qytetarëve, mijëra qytetarëve opozitarë të cilët me ndershmëri deshën ndryshimin është momenti për të thënë të vërtetat e mëdha siç janë e për të mos heshtur më. E vërteta e madhe është që s’ka pasur kurrë qoftë dhe një propozim të vetëm zyrtar nga partia e Lulzim Bashës për mandate, për numra mandatesh e gjëra të kësaj natyre. Anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike janë aty, anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike janë aty, le të thonë a kanë parë ndonjë propozim të tillë? E nëse ka një propozim të tillë zyrtar, këtë dokument le t’ia vënë në dispozicion mediave shqiptare që ta njohin por një dokument i tillë nuk ekziston dhe faqja e zezë për ata që mashtrojnë pasi kanë shitur interesat e opozitës ditën për diell.

Reagimet e akuzat u nxitën nga deklaratat e mbrëmshme të Gazment Bardhit në emisionin “Open” në Top Channel, se PD i ofroi 15 mandate të sigurta LSI-së, por kjo e fundit tha se 34 i siguronin të vetëm.