Film & Tv

“Luca” Wow çfarë filmi! Kritikë.

Sallat e kinemave, si shumë vende të artit, të ngjallin pak trishtim kur i viziton këto ditë të nxehta post Covid-i, ka pak njerëz e kundërta e bareve dhe restoranteve të mbushura plot me ‘shtyrës kohe’. Kjo nuk do të ishte kurrë një arsye për t’i thënë jo dëshirës së djalit apo vajzës për të shkuar në kinema, aq më shumë kur në ekranin e madh shfaqet një film i Pixar – (edhe i Disneyt – por ku ka Pixar ka diçka përtej kornizimit të natyrshëm që merr një film i animuar). “Luca” është vendosur në një qytezë të imagjinuar në Italinë e viteve ’50 dhe flet për një lloj peshku i cili bëhet njëri pasi del nga deti dhe aty takon atë që do të shndërrohet në shokun e tij të aventurës.

Të shumtë janë kritikët të cilët kanë gjykuar Pixar për një lloj ‘në-vend-numërimi’ që pas “The Good Dinasour” (2015) cilësuar si mpirës për fëmijët e të rriturit, duke i shtuar gjithmonë përpjekjeve të tyre për të mos lënë prindin të shohë telefonin ndërsa fëmija(ët) po shohin filmin si tek “Coco” apo “Incredibles 2” zhgënjeyse. Në rastin e parë stërzgjatja dhe në të dytin një shtim i panevojshëm i agresivitetit. Sigurisht ka ende nga ata që mendojnë se “Luca” nuk ja del sërish, dhe deri diku nuk kanë faj….

Fillimi është nën ujë – aty ku fillon historia e Lukës, një peshk i cili ndihmon familjen për të ruajtur peshqit e tjerë – një riciklim i ‘The Little Mermaid” (Sirena e Vogël”) dhe “Finding Nemo” me ngjashmëri vizuale dhe dinamike. Por kaq – deri këtu mund të themi që “Luca” nuk është perfekt – pjesa tjetër pastaj është thjesht WOW! – sidomos kur je i rritur! Edhe pse përrallat nuk kanë kuptim logjik (në botën e të rriturve) peshku-monster gjysmë peshk/gjysmë njeri – Luka (Jacob Tremblay) është personazhi që nga pak të gjithë gjejmë veten – duke na kujtuar fëmijërinë me të gjithë kompleksitetin e saj.

Edhe pse prindërit e tij nuk e duan këtë (Daniela dhe Lorenzo – interpretuar nga Jim Gaffigan dhe Maya Rudolph) Luka ka shumë kuriozitet për çfarë gjehet në sipërfaqe – a ka më shumë përtej jetës së tij përsëritëse deri në angështi nën ujë. Derisa një ditë takon një djalosh më të madh se vetja Alberton (Jack Dylan Grazer) një lloj Jonas Brothers-i i situatës, i cili ka kohë që jeton në sipërfaqe dhe e josh Lukën që çdo gjë e mirë është aty, më e mira nga të gjitha – në një afirmim super italian – një Vespa, me të cilin dyshja bëjnë plane që do të udhëtojnë botën. Kjo jo menjëherë – por kur Luka kërcënohet nga prindërit e tij se nuk mund të shkojë më në sipërfaqe atëhere ai merr vendimin për të mos u kthyer kurrë më në det.

Gjysma e dytë filmit është edhe pjesa fituese e “Luca” – një qytezë që ngjall nostalgji – Portorosso, ndërtesat njëra mbi tjetrën me ngjyra pastel-i, banorë si një familje e madhe, shatërvani në piacë e gjëra si këto. Është një magji e vërtetë ajo që ndodh më pas si ndërtohet konflikt mbas konflikti dhe si personazhet zbulojnë kufijtë e personalitetit e tyre.

“Luca” është debutimi në metrazh të gjatë i Enrico Casarosa-s i cili u bë i famshëm me metrazhin e shkurtër të Pixar “La Luna” (2011) dhe edhe pse skenari nuk është aq i kulluar, (i ricikluar dhe i rrëmujshëm vende vende), ai do t’ju bëjë për të qeshur, do t’ju bëjë për të qarë – por mbi të gjitha të lumtur që shpenzuat 1 orë e pak me djalin apo vajzën tuaj, i cili mbas filmit do të dojë 3 gjëra: 1 Vespa (ose diçka të ngjashme), një peshk që kthehet në njeri, dhe rikthimin në shkollë!

A nuk do donim të gjithë këtë nga një film i animuar…

“Luca” është duke u shfaqur në Cineplexx Teg & QTU.