Bota

Lufta anti-COVID, OBSH kërkon ndihmën e Gjermanisë!

Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH i bën thirrje Gjermanisë që të nxisë përfaqësuesit e vendeve kryesore industriale të botës në samitin e G7-ës, në lidhje me kontributin në Programin e Reagimit ndaj COVID-19/ës. Sipas OBSH-së, Gjermania është investuesi më i madh në programin ACT-Accelerator, i cili furnizon vendet më të varfra me vaksina, diagnostikime dhe teste për koronavirusin. Bruce Aylward, përgjegjës për koordinimin e COVID-19/ës i OBSH-së:

Qeveria gjermane duhet të ngrihet e të thotë: ne kemi paguar pjesën tonë e duhet ta bëni edhe ju këtë! Ata që nuk e bëjnë janë të lirë! Nëse prekemi nga të tjera valë të kësaj sëmundjeje, atëherë do të kemi të bëjmë edhe me një krizë trazirash civile. Gjermania nuk duhet të ketë frikë të flasë nga një pozicion i autoritetit moral.

Aylward nuk i kurseu lavdërimet kundrejt shtetit gjerman, lidhur me prioritetin e tij të vazhdueshëm në luftën kundër pandemisë globale, në mes të luftës në Ukrainë.

Rreth 12 miliard dollarë, ende mungojnë nga buxheti aktual vjetor prej gati 17 miliard dollarësh deri në shtator të këtij viti. Sipas shifrave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Gjermania ka paguar rreth 1.3 miliard dollarë apo më shumë se pjesa që i takon asaj. Kuota që një vend duhet të paguajë, llogaritet nga OBSH-ja, sipas performancës ekonomike të një shteti dhe po ashtu pjesës së tregtisë botërore.

Në Bavari, nesër nis samiti tre-ditor i G7-ës dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz do të bëjë thirrje për forcimin e bashkëpunimit mes demokracive në mbarë botën. Gjermania mban presidencën e radhës së G7-ës e Scholz është shprehur:

Do të shënohej sukses i rëndësishëm, nëse samiti do të ishte pika fillestare për të parë botën demokratike në një këndvështrim të ri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe Japonia, duhet të shihen vetëm si pikënisje. Demokracitë e mëdha e të fuqishme të së ardhmes janë në Azi, Afrikë e në Amerikën e Jugut dhe do të jenë partnerët tanë. Ne duhet të shikojmë të gjithë globin dhe jo vetëm të kemi një pamje të ngushtë të Europës, Amerikës së Veriut e Japonisë. Bota do të ketë edhe më shumë qendra fuqie në 30 vjet se sot. Nëse arrijmë të sigurojmë që kjo botë të funksionojë së bashku dhe demokracitë të luajnë rol qendror do të jetë një hap i madh përpara!