Aktualitet

“Lufta” Berisha-SHBA, sondazhi i TAR zbulon se anën e kujt mbajnë shqiptarët!

Shpallja Non-Grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit e Ish Kryeministrit dhe Ish Presidentit Sali Berisha, ka qenë dhe vijon të jetë temë e nxehtë diskutimi për disa javë me radhë në vendin tonë.

Në një mesazh në “Twitter” Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, shkroi se Berisha dhe familja e tij janë shpallur zyrtarisht të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA pasi veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, minojnë demokracinë në Shqipëri”

Kjo shkaktoi reagime të shumta nga politika, shoqëria civile e madje edhe nga ndërkombëtarët.  Vetë Berisha në një reagim, deklaroi se ai dhe familjarët e tij nuk kanë përfituar kurrë nga fonde dhe asete publike dhe kanë zbatuar me rigorozitet të plotë ligjet e vendit. Duke shprehur keqardhje për vendimin dhe duke e konsideruar atë pa asnjë bazë konkrete, Berisha ftoi Skeretarin e Shtetit Antony Blinken të bëjë publike çdo fakt e dokument që administrata e tij, mund të disponojë për të argumentuar pretendimin e tyre për të dhe familjarët e tij. Madje Berisha e ka paditur për shpifje Blinken, në Tribunal Correctionel De Paris.

Nuk kaloi shumë kohë dhe një tjetër “goditje” vjen nga Ambasadroja Amerikane Yuri Kim, pas një takimi me Kryedemokratin Basha, ku i kërkoi këtij të fundit që Berisha të mos futet në Kuvend. Kim u shpreh se një parti e madhe “nuk mund të hajë bar”, për shkak të një deputeti.

Por ç’mendojnë shqiptarët lidhur me këtë kërkesë të Kim, teksa Berisha e ka fituar mandadin me votat e tyre.

Sipas sondazhit të bërë nga TAR ku shqiptarët janë pyetur se çfarë mendojnë për kërkesën e Ambasadores Kim për largimin e Berishës nga politika, 43% e tyre janë përgjigjur me “Nuk jam dakord”, 43% me “Jam Dakord” dhe 14% kanë refuzuar të përgjigjen.

Siç duket shqiptarët janë të ndarë më dysh edhe për këtë çështje. Megjithatë Berisha është shprehur se ai do të jetë në Kuvend sezonin e ri parlamentar dhe duket se “lufta” nuk mbaron me kaq. Për zhvillimet e reja me siguri do duhet të presim sezonin e ri parlamentar, ku politika do të gëlojë ashtu si çdo sezon tjetër duke rrëmbyer vëmendjen e shumicësh prej nesh.