Bota

Lufta në Ukrainë, Asambleja e KiE-së thirrje për një gjykatë ndërkombëtare për krimet e luftës!

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës bëri thirrje unanime për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për krimet e luftës, ndërsa Rusia vazhdon luftën në Ukrainë. Nga kjo gjykatë me seli në Hagë kërkohet të ndjekë penalisht liderët politikë e ushtarakë të Rusisë dhe aleates së saj, Bjellorusisë që planifikuan, përgatitën e nisën agresionin në Ukrainë.  Seanca plenare miratoi një rezolutë të bazuar në një raport të një deputeti zviceran.

Një gjykatë e tillë duhet të miratohet dhe të mbështetet nga sa më shumë shtete e organizata ndërkombëtare e në veçanti nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Këshilli i Europës duhet të marrë një rol aktiv drejtues e të ofrojë mbështetje konkrete.

Këshilli i Europës monitoron respektimin e të drejtave të njeriut në 46 shtetet e tij anëtare. Rusia u largua në muajin mars të vitit të kaluar.

“Rusia e ka çuar luftën e saj në Ukrainë në një nivel tjetër”, duke kryer sulme ndaj civilëve e shënjestrave joushtarake. I këtij mendimi është Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit Europian për Veprimin e Jashtëm, Stefano Sannino. Nga një konferencë në Tokio, Sannino tha se “Putin ka lëvizur nga koncepti i operacionit special, në atë të luftës kundër NATO-s e Perëndimit”. Po ashtu kritikoi Moskën për nxitje të vendimeve amerikane e gjermane, për të dërguar tanke të avancuara në Ukrainë.

Rusia i quan “absurde” sanksionet e reja amerikane ndaj Moskës, për luftën në Ukrainë. Sipas ambasadës ruse në Shtetet e Bashkuara, “ato vetëm sa ua vështirësojnë kompanive të huaja aktivitetet e biznesit”. Për Rusinë, “kompanitë e huaja janë të parat që do të vuajnë nga sanksionet e reja dhe se aftësia e tyre për të punuar me partnerë rusë, është duke u tkurrur vazhdimisht”.

Një ditë më parë, Departamenti amerikan i Thesarit bëri të ditur se do të sanksionojë dhjetëra persona dhe entitete që kanë lidhje me pushtimin rus në Ukrainë. Aty është përfshirë edhe Wagner, grup paramilitar rus që lufton në Ukrainë.