Bota

Lufta në Ukrainë, Britania vendos të tjera sanksione ndaj Moskës!

Britania e Madhe prezantoi një paketë të re sanksionesh financiare dhe tregtare ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës. Në njoftimin e publikuar sot në faqen zyrtare të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, nënvizohen kufizimet e reja, që përfshijnë një bllokim të eksporteve të mallrave dhe pajisjeve teknologjike, eksportin e karburanteve për avionët e përdorimin e paundit dhe euros në Rusi.

Në listën e produkteve të ndaluara përfshihen mallrat e pajisjet teknologjike që mund të përdoren për prodhimin e armëve biologjike e kimike, produkte e teknologji shtesë të rafinimit të naftës, si dhe produkte e teknologji kritike të industrisë.

Vendimi ndalon importin, blerjen ose furnizimin dhe dërgimin e mallrave me origjinë ose që dërgohen nga Rusia e që mund të gjenerojnë të ardhura.

Gjithashtu parashikohen kufizime të mëtejshme për ofrimin e asistencës teknike, shërbimeve financiare, fondeve dhe shërbimeve të ndërmjetësimit në lidhje me importet e hekurit e çelikut.

Sanksionet imponojnë kufizime për importin, blerjen ose furnizimin dhe shpërndarjen e mallrave që gjenerojnë të ardhura që kanë origjinën ose dërgohen nga Rusia, si dhe asistencën teknike, shërbimet financiare, fondet dhe shërbimet e ndërmjetësimit.

Disa nga masat e reja kufizuese zbatohen si për territoret e Rusisë ashtu dhe ato të Ukrainës që ndodhen nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Moska.

Ndërkohë, në Bruksel është mbledhur samiti BE-së e kuptohet që do t’i kushtohet luftës së Rusisë kundër Ukrainës, por ka një ndjesi të veçantë, brenda e jashtë Brukselit, se Bllokut po i mbarojnë idetë e reja. Do të ketë një thirrje për të rritur më tej mbështetjen ushtarake për Kievin dhe për t’i dhënë Ukrainës një paketë tjetër ndihme financiare me vlerë deri në 9 miliard euro.

Kur bëhet fjalë për grurin e bllokuar në portin e Odesës, për shkak të një bllokade detare ruse, shumë në Bruksel ende shpresojnë se sekretari i Përgjithshëm i OKB-së mund të jetë në gjendje ta zgjidhë çështjen. Në lidhje me kërcënimet e forta të Moskës kundër Lituanisë për bllokimin e mallrave ruse të sanksionuara nga BE-ja për të hyrë në enkllavën ruse të Kaliningradit, ende ka diskutime nëse ndonjë mbështetje me shkrim për Vilniusin do të hyjë në deklaratën përfundimtare. Në lidhje me sanksionet, lodhja është e dukshme në korridoret e pushtetit të Brukselit.