Bota

Lufta në Ukrainë, Kievi paralajmëron se Rusia po përgatit ofensivë të madhe më 24 shkurt!

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, thotë se Rusia po përgatit një ofensivë të madhe dhe paralajmëron se mund të fillojë më 24 shkurt, në 1-vjetorin e pushtimit rus të Ukrainës. Sipas tij, “Moska grumbulloi mijëra trupa” dhe “mund të provojë diçka për të shënuar përvjetorin e pushtimit”. Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara e Gjermania bënë të ditur se do të dërgojnë tanke në Ukrainë.

Kievi zyrtar ka shprehur bindjen se këto tanke do ta ndihmojnë që të përballet me një ofensivë të mundshme të Rusisë në pranverë të këtij viti. Presidenti Volodymyr Zelensky ka thënë se shtetit të tij do t’i duhen të paktën 300 tanke Leopard për të mposhtur rusët.

Shumë shtete europiane kanë tanke të prodhimit gjerman Leopard 2 në inventarët e tyre dhe pas një presioni të gjatë, Berlini u bind që t’i autorizojë disa prej vendeve për të nisur dërgesa në Ukrainë. Gjermania shpreson se rreth 90 tanke të tillë do të dërgohen në fushëbetejë.

Polonia dëshiron të eksportojë 14 tanke Leopard 2, ndërsa Norvegjia ende nuk e ka bërë të ditur numrin e saktë. Më herët, Mbretëria e Bashkuar ka qenë vendi i parë anëtar i NATO-s që u zotua për dërgim të tankeve moderne në Ukrainë.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak ka thënë se në Ukrainë do të çojë 14 tanke Challenger 2, pra modelin më modern të tyre në ushtrinë britanike.

Rusia që në emër të operacionit ushtarak për çmilitarizimin e Ukrainës nisi pushtimin e vendit fqinj më 24 shkurt 2022 disponon më shumë tanke se Ukraina, por modelet që ka Moska cilësohen shumë inferiorë krahasuar me tanket perëndimore.

Po ashtu, Rusia i quajti “provokime flagrante” lajmet për dërgimin e tankeve modernë në Ukrainë, duke u zotuar t’i shkatërrojë. Dmitry Peskov, zëdhënës i shefit të Kremlinit, Vladimir Putin u shpreh:

Tanket do të shkatërrohen si gjithçka tjetër. Ato vetëm janë shumë të shtrenjtë.