Bota

Lufta në Ukrainë, mbi 10 viktima nga sulmet intensive ruse të orëve të fundit!

Ndërsa vazhdojnë luftimet e ashpra në lindje të Ukrainës, Kievi njoftoi se raketat ruse vranë më shumë se 10 civilë, një ditë më parë. Njëzet persona të tjerë u plagosën.

Zyrtarët ukrainas bënë të ditur se shumica e viktimave nga goditjet me raketa ishin në qytetet në lindje të vendit dhe në jug e që ndodhen pranë njësive të artilerisë ruse. Goditjet me raketa të Rusisë depërtuan thellë në brendësi të territorit të Ukrainës e vranë 11 persona.

Kievi raportoi se një ditë më parë, forcat ukrainase u angazhuan në luftime të ashpra me ato të Moskës në qytetin lindor Vuhledar, pjesë e rajonit Donjeck.

Në fjalimin e tij të mbrëmjes, presidenti Volodymyr Zelensky konfirmoi se luftimet ishin të ashpra në Donjeck dhe se forcat ruse nuk po kërkojnë vetëm të arrijnë fitore ushtarakisht. Sipas tij, gjithashtu po bëjnë përpjekje të shkatërrojnë qytete e fshatra.

Më herët, një zyrtar i lartë i Bashkimit Europian tha se Rusia po e zhvendos luftën në Ukrainë “në një tjetër stad”, duke kryer sulme ndaj civilëve dhe qyteteve, si reagim ndaj një vendimi të fundit të vendeve të NATO-s për të dërguar armatime të avancuara në Ukrainë, për të mbështetur përpjekjet e saj në këtë luftë.

“Rusia e ka çuar luftën e saj në Ukrainë në një nivel tjetër”, duke kryer sulme ndaj civilëve e shënjestrave joushtarake. I këtij mendimi është Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit Europian për Veprimin e Jashtëm, Stefano Sannino. Nga një konferencë në Tokio, Sannino tha se “Putin ka lëvizur nga koncepti i operacionit special, në atë të luftës kundër NATO-s e Perëndimit”. Po ashtu kritikoi Moskën për nxitje të vendimeve amerikane e gjermane, për të dërguar tanke të avancuara në Ukrainë.

Rusia i quan “absurde” sanksionet e reja amerikane ndaj Moskës, për luftën në Ukrainë. Sipas ambasadës ruse në Shtetet e Bashkuara, “ato vetëm sa ua vështirësojnë kompanive të huaja aktivitetet e biznesit”.