Bota

Lufta në Ukrainë, mbi 8 mijë civilë të vrarë/Por, shifrat në terren më të larta se zyrtaret!

Mbi 8 mijë e 300 civilë janë vrarë deri më tani gjatë luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Hetuesit në Kiev njoftojnë edhe shifrën e të miturve që kanë humbur jetën:

Mes tyre ishin 437 fëmijë. Po ashtu, më shumë se 11 mijë banorë janë plagosur gjatë luftës, që zgjat prej pothuajse nëntë muajsh, nga 24 shkurti i këtij viti. Numri aktual i viktimave, gjithashtu ka të ngjarë të jetë më i lartë pasi autoritetet ukrainase ende nuk kanë akses në disa zona të pushtuara nga Rusia.

Në rajonet e çliruara, trupat ukrainase vazhdojnë të gjejnë trupa e dëshmi të mizorive të dyshuara.

Deri më tani, autoritetet ukrainase kanë regjistruar mbi 45 mijë krime lufte, ku 216 persona janë raportuar si kriminelë të dyshuar lufte, përfshirë 17 të burgosur rusë po të luftës. Dymbëdhjetë nga 60 të akuzuarit tashmë janë dënuar.

Ndërkohë, centrali bërthamor në Zaporizhia është tronditur nga disa shpërthime të fuqishme. Ekspertët e IAEA-s në terren raportuan dhjetëra dëme pranë vendit të objektit më të madh bërthamor të Europës.

Sulmet e të shtunës e të dielës, papritur i dhanë fund periudhës relativisht të qetë në objekt.

Ministria ruse e Mbrojtjes akuzoi forcat e armatosura ukrainase për bombardime masive ndaj centralit bërthamor që nga e shtuna.

Vetëm të dielën në mëngjes, 12 predha të kalibrit të madh iu drejtuan centralit. Tetë predha goditën blloqet e reaktorit dhe një tjetër, çatinë e një ndërtese. Rrezatimi rreth centralit bërthamor ishte normal. Kushdo që qëndron pas kësaj, duhet të ndalet menjëherë. Siç e kam thënë edhe më parë, ju po luani me zjarrin.

Shefi i IAEA-s, Rafael Grossi u bëri thirrje të dyja palëve të krijojnë një zonë të sigurt rreth objektit ku të mos ketë sulme e luftime.
Negociatat intensive mes të dy palëve nuk kanë rezultuar ende në një marrëveshje.