Bota

Lufta në Ukrainë, Moska drejt tërheqjes së pjesshme në Kherson!

Lufta ruse në Ukrainë sot hyri në ditën e 254-rt. Mes lëvizjeve të fundit, Kremlini thërriti ambasadorin britanik, duke akuzuar Londrën për sulmin ndaj flotës ruse në portin e Sevastopolit. Rusia pretendon se ka provat që faktojnë përfshirjen e Britanisë së Madhe dhe se do t’i bëjë publike. Ndërkaq, Moska është drejt tërheqjes së pjesshme në Kherson. Po ashtu, vijojnë bombardimet në Donjeck, ku dje mbetën të vrarë 8 civilë.

Rusia po dëbon qytetarë ukrainas nga Khersoni, Zaporizhja, Lugansku dhe Donjecku. Ministria e Punëve të Jashtme në Kiev dënoi ashpër dëbimin e ukrainasve nga rajonet e pushtuara nga Rusia në jug dhe juglindje të vendit. Deportime të ngjashme, Moska po kryen edhe në Krime.

Rusia dhe Ukraina këmbyen 214 të burgosur: 107 ushtarë rusë dhe po kaq luftëtarë ukrainas. Shumë nga ukrainasit e liruar janë të mbijetuarit e plagosur në përpjekjen për të mbrojtur qytetin e Mariupolit, në muajt prill dhe maj të këtij viti.

Volodymyr Zelensky refuzon pjesëmarrjen në samitin e G20-ës, nëse Vladimir Putin është i pranishëm. Lideri i Ukrainës mori ftesë për takimin dy-ditor të datave 15 dhe 16 nëntor në Indonezi. Vazhdon prej mbi 8 muajsh agresioni rus në Ukrainë që ka çuar në qindra viktima e miliona të zhvendosur. Për Moskën, ky është operacion special ushtarak për çmilitarizimin e Ukrainës.

Në një tjetër zhvillim, bëhet e ditur se Turqia dhe Rusia arritën marrëveshje për të dërguar grurë falas në vendet më në nevojë, sidomos në Afrikë. Lajmin e bëri të ditur presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, duke theksuar se për këtë, foli direkt me homologun rus, Vladimir Putin.

Kemi gjetur konsensusin për mënyrën si ta shfrytëzojmë maksimalisht korridorin në Detin e Zi ku kalojnë anijet që transportojnë grurë.

Në apelin e tij drejtuar shteteve të G20-ës, presidenti Erdogan kërkoi që eksportet e drithërave të shkojnë në vendet më pak të zhvilluara.