Bota

Lufta në Ukrainë, presidenti Zelensky urdhëron largimin e njerëzve nga Donjecku!

Për në lindje të Ukrainës, presidenti i vendit, Volodymyr Zelensky, njoftoi se qeveria ka vendosur të urdhërojë evakuimin e detyrueshëm të banorëve nga Donjecku. Tashmë prej shumë javësh, ky rajon është kthyer në skenë të luftimeve intensive me forcat pushtuese ruse, që më 24 shkurt të këtij viti nisën agresionin e urdhëruar nga presidenti Vladimir Putin kundër vendit fqinj.  Kjo çoi në sanksione të Perëndimit e ashpërsim të marrëdhënieve me Kremlinin, që po hakmerret duke ndalur edhe furnizimet me gaz për një sërë vendesh të Bashkimit Europian.

Gjatë një fjalimi drejtuar qytetarëve në orët e vona të ditës së djeshme, Zelensky tha se “qindra-mijëra njerëz ende janë në zonat e luftës në rajonin e Donbasit” dhe se “ata duhet të largohen”.

Sa më shumë persona të ikin tani nga Donjecku, për aq më pak njerëz do të ketë kohë ushtria ruse që të kryejë vrasje. Banorët që pranojnë të evakuohen do të kompensohen.

Zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk citohet të jetë shprehur se “evakuimi duhet të ndodhë, para se të nisë stina e ftohtë e dimrit, pasi furnizimet me gaz natyror në këtë rajon janë zeruar”. Kreu i shtetit konfirmoi se qindra-mijëra vetë vazhdojnë të jetojnë në zona të Donbasit ku po zhvillohen luftime të ashpra mes trupave ruse e atyre ukrainase. Ndërkaq, shumica po refuzojnë të largohen, por sipas Zelensky-t, “zhvendosja duhet të ndodhë me patjetër”.

Moska ndryshoi strategji dhe në muajt e fundit e ka përqendruar ofensivën në lindje të Ukrainës. Kryediplomati rus Sergey Lavrov bëri të qartë se nuk ka tërheqje, pa arritur të gjitha objektivat e operacionit special. Luftën, Kremlini e quan “operacion special ushtarak për çmilitarizimin e Ukrainës”.

Kur dështoi të merrte kontrollin e Kievit, Rusia nuk iu nda rajonit të Donbasit, që përbëhet nga Donjecku e Lugansku. Por, jo vetëm atje, forcat ruse janë përfshirë në luftime të ashpra edhe në jug të Ukrainës, në rajonin e Khersonit.