Bota

Lufta në Ukrainë vazhdon, Rusia merr presidencën e Këshillit të Sigurimit!

Rusia sot mori presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pavarësisht kërkesave nga Ukraina që të mos lejohet një gjë e tillë. Secili nga 15 anëtarët e Këshillit merr presidencën për një muaj, sipas një rendi të paracaktuar. Herën e fundit që Moska kishte presidencën, në shkurt të vitit 2022, filloi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Marrja e presidencës nga Rusia do të thotë që Këshilli i Sigurimit po udhëhiqet nga një vend, presidenti i të cilit ka një urdhër-arrest ndërkombëtar për krime të dyshuara lufte. Gjykata Penale Ndërkombëtare që nuk është institucion i OKB-së lëshoi urdhër-arrest për Putinin muajin e kaluar.

Pavarësisht ankesave të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se nuk mund ta bllokonin marrjen e presidencës së Këshillit nga Rusia, që është anëtare e përhershme e tij. Të tjerë anëtarë të përhershëm të këtij Këshilli janë Britania e Madhe, SHBA-të, Franca dhe Kina.

Roli është kryesisht procedural, por ambasadori i Moskës në OKB, Vasily Nebenzia, i tha agjencisë ruse të lajmeve Tass se planifikon të mbikëqyrë disa diskutime, përfshirë atë për kontrollin e armëve.

Do të diskutoj për një rend të ri botëror që të zëvendësojë atë njëpolar.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba:

Kjo është shakaja më e keqe për Ditën e Gënjeshtrës, 1 Prill, si dhe një kujtesë se diçka nuk është në rregull me mënyrën si funksionon sistemi ndërkombëtar i sigurisë.

Këshilltari presidencial i Ukrainës, Mykhaylo Podolyak:

Marrja e presidencës nga Rusia është një tjetër shkelje e ligjit ndërkombëtar. Një vend që zhvillon luftë agresive, shkel normat e ligjit humanitar e penal, shkatërron Kartën e OKB-së, neglizhon sigurinë bërthamore, nuk mund ta drejtojë organin kryesor të sigurisë në botë.

Vitin e kaluar, presidenti Zelensky bëri thirrje që Këshilli i Sigurimit të reformohet ose të shpërbëhet tërësisht, duke e akuzuar se ka dështuar të ndërmarrë veprime të mjaftueshme për të parandaluar pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Por SHBA-të thanë se “Karta e OKB-së nuk e lejon largimin e një anëtari të përhershëm”.

Fatkeqësisht, Rusia është një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe nuk ekziston asnjë rrugë e mundshme ligjore ndërkombëtare për ta ndryshuar këtë realitet.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së është një organ ndërkombëtar përgjegjës për ruajtjen e paqes. Pesë vende janë të përfaqësuara në mënyrë të përhershme në Këshillin e Sigurimit.