Bota

Lufta në Ukrainë zhvendos në Poloni paradën e komunitetit LGBT+!

Ndërsa kanë kaluar katër muaj nga agresioni rus në Ukrainë dhe luftimet vazhdojnë, akoma më me intensitet në rajonin lindor, parada ukrainase për të drejtat e komunitetit LGBT+ (homoseksualë, lesbike, biseksualë e transgjinorë) pritet të mbahet sot në Poloninë fqinje. Për shkak të konfliktit, organizatorët panë të arsyeshme zhvendosjen e saj nga Kievi për në kryeqytetin polak, Varshavë.

Në këtë mënyrë, u ra dakord që e ashtuquajtura Parada e Kievit, e cila do të shënonte të 10-in organizim të tillë në Ukrainë, po iu bashkohet organizimeve të ngjashme të planifikuara që të mbahen në Varshavë. Drejtuesi i Paradës së Kievit, Lenny Emson deklaroi:

Ne jemi duke marshuar për mbështetje politike për Ukrainën dhe jemi duke marshuar për të drejtat themelore të popullit ukrainas. Nuk është festë, ne do të presim fitoren për të festuar.

Lenny Emson vuri në dukje se “zbatimi i ligjit për gjendjen e luftës në kryeqytetin ukrainas i ka pamundësuar organizimet e mëdha, të tilla si Parada e Kievit”. Organizatorët njoftuan se presin rreth 80 mijë pjesëmarrës në Varshavë. Muajin e kaluar, ata patën bërë thirrje, që njerëz nga e gjitha bota t’i bashkohen organizimit e të jenë të zëshëm kundër agresionit të Rusisë në Ukrainë, që vijon prej datës 24 shkurt.

Emson shtoi edhe se humbja e Ukrainës në luftën me Rusinë, ku në këtë të fundit komuniteti LGBT+ nuk ka mbrojtje ligjore nga diskriminimi apo ku shënohen krime me bazë urrejtjen, padyshim që do të përbënte tragjedi për popullin ukrainas në përgjithësi e në mënyrë të veçantë, komuniteti LGBT+, rrezikon “të zhduket plotësisht”.

Në Paradën e Kievit u është bërë thirrje njerëzve që të kuptojnë se kufijtë gjeografikë të Ukrainës me Rusinë e Bjellorusinë, vend i cili njihet si aleat i ngushtë i Moskës, “nuk janë vetëm linjë ndarëse në mes të shteteve, por edhe kufi ndërmjet territorit të lirisë e zonës së pushtimit”.