Bota

Lufta në Ukrainë, rusët në kundërsulm në Kharkiv!

Ushtria ukrainase raporton se “forcat ruse kanë nisur kundërsulme përreth Kharkivit, në përpjekje për të rimarrë territorin e humbur”, duke u detyruar të kthehen në kufi. Ndërkaq, komandanti rus i një njësie elitare të tankeve, Serhiy Kisel u pezullua nga detyra për shkak dështimit për të marrë kontrollin e Kharkivit, qytetit të dytë më të madh ukrainas.

Në vendbanimin Velika Komishuvaka, forcat ruse pësuan humbje të mëdha, duke u detyruar të largohen nga pozicionet që më herët kishin pushtuar. Ndërkohë, guvernatori i rajonit rus Kursk, deklaroi sot se “një person u vra dhe disa të tjerë u plagosën nga sulmi ukrainas në një fshat pranë kufirit”.

Referuar Ministrisë britanike të Mbrojtjes, Kisel është njëri nga disa prej zyrtarëve të lartë ushtarakë rusë, të larguar nga puna javët e fundit, për shkak të performancës së dobët në fazën e parë të pushtimit të Ukrainës. Në mesin e komandantëve rusë, rezulton edhe zv.admirali Igor Osipov, i cili udhëheq flotën ruse në Detin e Zi. Besohet se u shkarkua pasi luftanija ruse, Moskva, u fundos në prill.

Valeriy Gerasimov, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Ruse, me gjasa e mban ende postin, por për shërbimet sekrete britanike, nuk është e qartë nëse ky gjeneral vazhdon të gëzojë besimin e presidentit rus, Vladimir Putin. Ndërkaq, një zyrtar ushtarak i NATO-s, tha për CNN-in se “konflikti është kthyer në favor të Ukrainës”, edhe pse aleatët nuk presin përparime të mëdha në javët e ardhshme nga asnjëra palë.

Zyrtarët ukrainas kanë tentuar të negociojnë për lirimin e ushtarëve të mbetur në fabrikën e çelikut Azovstal në Ukrainë, por përfundimi i betejës më të përgjakshme, ende mbetet i pazgjidhur. Sipas Moskës zyrtare, thuajse 1 mijë luftëtarë ukrainas që gjendeshin në Azovstal, rezistencën e fundit ukrainase në Mariupol, u “dorëzuan” deri dje.

Të gjithë ushtarët raportohet se janë transferuar në territore në lindje të Ukrainës, që janë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë.
Autoritetet ukrainase nuk komentuan numrin dhe zëvendësministrja e Mbrojtjes së Ukrainës, Hanna Malyar, tha se “negociatat për lirimin e luftëtarëve po vazhdojnë”, ndërsa planet janë që të nxirren të gjithë personat që ende gjenden brenda Azovstalit.

Denis Pushilin, lider i separatistëve pro-rusë në rajonin lindor të Ukrainës, informoi se komandantët kryesorë të luftëtarëve ukrainas në Azovstal, ende janë brenda fabrikës.