Aktualitet

Lufta Rusi-Ukrainë, AMF monitoron ekspozimin e fondeve të investimit!

Sot në Komisionin e Ekonomisë, kreu i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete bëri të ditur se “asetet e tregut të fondeve të investimeve pësuan rënie me rreth 1% në tremujor”. Shkak kryesor, luhatja në tregjet ndërkombëtare për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë. Edhe pse ekspozimi i fondeve tona të investimit ndaj këtyre tregjeve mbetet i kufizuar, situata po monitorohet në vijimësi nga Autoriteti, i cili ka miratuar edhe një udhëzim duke rekomanduar kujdes të shtuar nga shoqëritë administruese të fondeve dhe një sërë masash të tjera.

Para deputetëve, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv prezantoi raportin e veprimtarisë së Autoritetit për vitin e kaluar.

Edhe pse sfidues për ekonominë, viti 2021 shënoi rimëkëmbje e rritje të shpejtë të tregjeve financiare nën mbikëqyrje. Qëndrueshmëria e tregjeve financiare nën mbikëqyrjen e Autoritetit, përfshi trajtimin e pagesave të tërmeteve, sugjeron se sektori ka kapacitetin të përballojë presionet e mundshme nga rreziqet e shtuara që paraqet situata aktuale.

Ndërkohë, tregu i sigurimeve dhe ai i pensioneve private vijuan rritjen.

Ligji “Për sigurimin e detyrueshëm” dhe rregulloret e miratuara nga Autoriteti në zbatim të tij, sollën rritje të vlerës së dëmshpërblimit për disa kategori dëmesh, si dhe reduktim të afateve për trajtimin e dëmeve me vlerë deri në 100 mijë lekë.

Për herë të parë është krijuar një fond garancie në vlerë 150 milion lekë, për t’u përdorur për rastet e pagesave që shkojnë për Fond Kompensimi.

Gjithashtu, në nivel tregu janë ulur komisionet e ndërmjetësimit me të paktën 9%, nga 27.5 në 18.5% për produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik.

Ndër të tjera, Mete theksoi se “projektligji i ri i hartuar nga Autoriteti për fondet private të pensioneve realizon një përafrim të këtij ligji me Direktivën Europiane, si edhe synon të zhvillojë tregun e pensioneve private”. Si zhvillim të rëndësishëm për 2021-shin, drejtori i Autoritetit veçoi ofrimin e shërbimeve që lidhen me sigurimin e detyrueshëm motorik në portalin e-Albania.

Rreth 680 mijë qytetarë, të cilët pajisen çdo vit me një policë së sigurimit të detyrueshëm motorik, TPL apo karton jeshil, mund të aksesojnë informacionet apo vërtetimet e nevojshme në lidhje me vlefshmërinë e policës së tyre aktuale të sigurimit, historikun e sigurimit të mjeteve, historikun e dëmeve, si dhe të njoftohen në kohë përpara afatit të skadimit të siguracionit, që ta rinovojnë.