Bota

Luftimet e përgjakshme në Sudan hyjnë në javën e dytë!

Në kryeqytetin e Sudanit, luftimet kanë hyrë në javën e dytë, ndërsa u shkel edhe një armëpushim i përkohshëm. Qindra persona u vranë e mijëra të tjerë u plagosën nga luftimet mes forcave të dy gjeneralëve rivalë. Gjatë natës u dëgjuan shpërthime të fuqishme në Kartum, ndërsa sot u rikthyen luftimet me armë zjarri.

Në Sudan, dhuna shpërtheu kur nisën luftimet mes forcave besnike të shefit të ushtrisë, Abdel Fattah al-Burhan e zëvendësit, Mohamed Hamdan Daglo, i cili komandon grupin paramilitar të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë. Dy ish-aleatët morën pushtetin përmes një grusht shteti më 2021-shin, por më pas u përfshinë në mosmarrëveshje për shkak të ndarjes së pushtetit.

Ato janë përqendruar në planin e integrimit të Forcave për Mbështetjen e Shpejtë në ushtrinë e rregullt, një prej kushteve kryesore të marrëveshjes që synon rivendosjen e tranzicionit demokratik të Sudanit. Ushtria rrëzoi nga pushteti Omar al-Bashirin në prill të vitit 2019, pas protestave masive kundër sundimit të tij me grusht të hekurt në 30 vjet.

Në tetor 2021, Burhan e Daglo bashkuan forcat dhe rrëzuan qeverinë civile të instaluar pas rrëzimit të Bashirit, duke penguar tranzicionin demokratik. Daglo pranon se grushti i shtetit ishte “gabim” dhe dështoi që të sillte ndryshime, ndërsa Burhan shpreh bindjen se ka qenë “i domosdoshëm” për të përfshirë më shumë grupe në politikë.

Deri tani janë shpallur dy armëpushime 24-orëshe, që nuk u respektuan. Në Kartumin me 5 milion banorë, luftimet kanë bërë që civilët të strehohen brenda shtëpive të tyre. Po ashtu, ata kanë mbetur pa energji elektrike dhe raportohet se furnizimet me ushqime janë pakësuar.

Ndërsa luftimet nuk kanë të ndalur, janë bërë gati planet për evakuimin e shtetasve të huaj, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Korenë e Jugut dhe Japoninë që kanë dislokuar forca në shtetet fqinje. Bashkimi Europian pritet të bëjë të njëjtën gjë.

Një ditë më parë, Departamenti amerikan i Shtetit e përshkroi situatën si shumë të rrezikshme për të nisur evakuimin e personelit të Ambasadës Amerikane. Sipas bilancit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH, 413 persona janë vrarë dhe 3 mijë e 551 mbetën të plagosur në luftimet në mbarë Sudanin. Por, besohet se numri real i viktimave është më i lartë, pasi shumë të plagosur nuk kanë mundësi të transportohen në spitale.