Është dërguar në Gjykatën e Lartë dosja për shqyrtimin e rekursit të bërë nga Luzim Basha kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila i dha logon dhe vulën e Partisë Demokratike Sali Berishës.
Rekursi është paraqitur më datën 23 korrik nga avokati Indrit Sefa dhe ditën e sotme (29 Korrik) dosja u dërgua për shqyrtim rekursi në Gjykatën e Lartë.
Njoftimi i Gjykatës:
Në vijim të komunikimeve mbi veprimtarinë e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ju njoftojmë se:
Më datë 23.07.2024, është paraqitur rekurs nga përfaqesuesi ligjor i Partisë Demokratike, av. Indrit Sefa, ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm nr. 723, datë 11.06.2024.
Pas kryerjes së veprimeve administrative (komunikimit te rekursit), sot më datë 29.07.2024, dosja u dërgua për shqyrtim rekursi në Gjykatën e Lartë.
Apeli i dha vulën Berishës
Trupa gjykuese e Gjykatës së Apelit më datë 11 qeshor vendosi të mos pranojë ankimimin e Enkelejd Alibeajt duke lënë në fuqi vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri.
Vendimi i trupës gjykuese, i cili përbëhej nga Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro, është i formës së prerë duke i dhënë fund pas 3 vitesh betejës ligjores në dyert e gjykatës për fatin e partisë më të madhe opozitare në vend.
Por Basha e ka konsideruar një veprim skandaloz dhe është shprehur se “nuk do lejojmë që padrejtësia të triumfojë”.
“Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë, depozitoi sot rekursin ndaj vendimit skandaloz të 11 qershorit.
Ne nuk e pranojmë paligjshmërinë, as nuk do lejojmë që padrejtësia të triumfojë.
Vlerat themelore të demokratëve nuk mund të tregtohen në pazarin e hallexhinjëve të SPAK, partia e parë properëndimore e Shqipërisë nuk mund të jetë streha e problemeve personale të një individi në konflikt me perëndimin, votat e demokratëve nuk mund të përdoren për allishverishet mes qeverisë dhe teatëropozitës për t’i dhuruar pushtetin në tavolinë Ramës, duke mbyllur listat dhe duke shkatërruar Reformën Zgjedhore”, tha Basha pas depozitimit të rekursit.