Aktualitet

Lulzim Basha mohon financimin e PD-së nga Rusia!

Ish-kryetari demokrat, Lulzim Basha, i cili drejtoi Partinë Demokratike nga 2005-a deri në mars të këtij viti, kur dha dorëheqjen, mohon informacionet e bazuara në një raport amerikan të zbulimit, të bëra të ditura nga një burim i qeverisë amerikane. Aty thuhet se “në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milion dollarë Partisë Demokratike në vitin 2017, përmes kompanive fantazëm”. Në një postim në Twitter, Basha shkruan se “Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus”.

2017-ta përkon me deklarimet e firmës lobuese amerikane “Muzin Capitol Partners” se në atë vit mori tre pagesa me vlerë totale 675 mijë dollarë, për të punuar në favor të Partisë Demokratike. Selia blu pranoi pagesën e vetëm 25 mijë dollarëve, ndërsa kompania Muzin deklaroi se “150 mijë dollarë u paguan përmes shoqërisë “Biniatta Trade LP”, e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë”, shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale. Në atë kohë, investigime të ndryshme mediatike ngritën dyshime për fije të shumta lidhjesh të kompanisë Biniatta, të cilat çonin drejt Rusisë.

Akoma më i paqartë mbeti burimi i 500 mijë dollarëve të tjerë që sipas “Muzin Capitol Partners” u paguan direkt nga PD. Në dokumentin që firma Muzin paraqiti në Departamentin e Drejtësisë, figuron shifra 500 mijë dollarë e thuhet se ajo është bërë nga Partia Demokratike. Por, 500 mijë dollarë figurojnë në kontratën me Biniattën dhe jo me PD-në, sipas “Mother Jones”. Në reagimin e sotëm, Basha vë në dukje se dhe hetimet për këtë çështje në Shqipëri, nuk zbuluan asnjë financim rus.

Basha u mor i pandehur nga Prokuroria e Tiranës në qershor të vitit 2019, dhe në një replikë ndaj deklarimeve të tij, Prokuroria u shpreh:

PD ka deklaruar vetëm 25 mijë dollarë, por nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 mijë dollarësh. Në dokumentat e mbërritura nga SHBA-ja dhe Skocia dalin qartë pagesat e bëra dhe të padeklaruara, pra PD nuk ka bërë asnjë deklarim për këto pagesa në kundërshtim me ligjin.

Në janar të vitit 2020, Gjykata e Tiranës pushoi çështjen, ndërkohë që vetë prokuroria u paraqit me dy qëndrime të ndryshme. Por sot, Partia Demokratike, e cila tani drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha, duke komentuar informacionet e fundit nga Shtetet e Bashkuara për këtë çështje foli për “akte personale të Lulzim Bashës”, të denoncuara dhe më parë.