Art & Kulturë

“Lyle Lyle Crocodile” një nga filmat më prekës të vitit të fundit. Kritikë.

Një nga zakonet më të bukura që kemi krijuar në familjen time është që njëherë në javë të kemi një ‘movie night’ për t’i dhënë vlerë televizorit që ndizet gjithmonë e më rrallë në sallon apo për ta kthyer në një ritual të vlefshëm për t’u ruajtur në kujtimet plot forcë të fëmijërisë, të shkuarit në kinema.

Kur “Lyle Lyle Crocodile” po shfaqej në Cineplexx, e patëm të pamundur të shkonim, ndaj kjo fundjavë na gjeti me kokoshka në tas e të shpërhapura mbi divan duke parë filmin e çuditshëm. Them i çuditshëm sepse protagonisti është një krokodil i vërtetë i madh e i frikshëm (render kompjuterik) që jeton në mes të New York-ut në një papafingo, dhe ka një talent të jashtëzakonshëm. Kur nuk e ka mendjen njeri, ai këndon, këndon aq bukur sa nuk mund ti besosh as syve as veshëve.

Krokodili këngëtar është një personazh i njohur për fëmijët që prej viteve ’60 kur Bernard Waber publikoi librin e parë. Më 18 Nëntor të 1987, HBO do të nxirrte adaptimin e parë televiziv i konsideruar i suksesshëm për kohën. Në filmin e ri live-action, Lyle interpretohet nga idhulli kanadez i muzikës pop Shawn Mendes dhe është adoptuar nga një prestidigjator në kërkim të realizimit të shfaqjes që do i ndryshojë jetën Hector P Valenti, i interpretuar nga një Javier Bardem shumë argëtues. Muzika në film është shkruar nga ata që kanë realizuar muzikën e “La La Land” Benj Pasek dhe Justin Paul (“Take a Look at Us Now” dallohet mbi të tjerat).

Hector nuk e ka punën mirë për planin e tij sepse pavarësisht se ka zbuluar një thesar tek Lyle, krokodilin që këndon me zë engjëlli ky i fundit ka emocione nga publiku dhe nuk këndon dot përpara njerzve. Braktisja e Hector-it do ta lërë Lyle vetëm për disa muaj derisa takohet me familjen Primm, një çift i cili vjen në qytet me djalin e tyre për të ri-nisur jetën nga e para mbas vështirësive të kohëve të fundit.

Lyle do të jetë deçisiv në marrëdhëniet mes tyre, si një zamkë e domosdoshme në familjen e tyre të thyer. Primm-ët dhe Lyle do të ndihmojnë njëri tjetrin për t’u kthyer në fund në një familje të madhe dhe të lumtur. Protagonisti i vogël, Winslow Fegley, është jashtëzakonisht i aftë për ta kthyer filmin në një hit të menjëhershëm njësoj si filmat me Jacob Tremblay përpara pak viteve. Edhe pse me sytë e një të rrituri filmi mund të tingëllojë absurd, gjashtë vjeçari im qau dhe qeshi dhe në fund tha ‘uau sa film i bukur’.

Mision i arritur! Filmi aktualisht po vazhdon të shfaqet në Cineplexx.