Bota

Macron dhe Scholz i kërkuan zgjedhje të reja në Veri, Osmani zbardh detaje nga takimi me Vuçiç në Moldavi!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dhënë detaje për takimin që kishte me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si dhe ka bërë të ditur kërkesën e presidentit të Francës, Emanuel Macron dhe kancelarit të Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz, të cilëve ia ka konfirmuar se mund të mbahen zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit, gjithnjë duke respektuar legjislacionin në fuqi.

Osmani në një konferencë për media, në kuadër të samitit të dytë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Kishinau, ka thënë se nuk kishte plane ta takonte presidentin e Serbisë, Vuçiç por se është takuar pasi kishte këmbëngulje nga shumica e liderëve evropian.

Gjatë këtij takimi, Osmani tregoi se çka kërkoi nga Vuçiç. Osmani tregoi se si presidenti Macron dhe kancelari Scholtz, i kërkuan Kosovës që të organizojë zgjedhje të reja në veri, për të cilat ajo shtoi se ato mund të mbahen.

“Kishte disa kërkesa që presidenti Macron dhe kancelari Schultz kishin si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Nuk është se presidenti Vuçiç u përgjigj në asnjë nga ato pyetje që ata kishin për të. Ndërsa, ajo që ata kërkuan nga Kosova është që të gjejë një mënyrë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri, që do t’u jepte mundësinë qytetarëve serbë të marrin pjesë dhe kryetarët e komunave të zgjedhin me një legjitimitet më të madh. Dhe unë i informova se korniza jonë ligjore e lejon këtë mundësi dhe ne jemi të gatshëm ta konsiderojmë atë në përputhje me ligjin e Kosovës për zgjedhjet. Kjo do të thotë se qytetarët serbë, rreth 20% e tyre që janë në listat zgjedhore, mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes kësaj, ata mund të inicojnë procesin e zgjedhjeve të reja dhe ne jemi të gatshëm të zbatojmë ligjin. Është shumë e lehtë, është një proces shumë demokratik, ne i lejojmë qytetarët tanë të përcaktojnë se kur duan zgjedhje të reja dhe besoj se pa problem mund të ecim përpara me këtë, por duhet pjesëmarrje nga ana e tyre. Ata mund të zgjedhin kryetarin e komunës me një legjitimitet më të lartë, por duhet të marrin pjesë. Vuçiçit iu kërkua që të mos ndërhyjë, të mos u bëjë presion qytetarëve që të mos marrin pjesë. Nga ana e tij nuk ka pasur përgjigje”, tha ajo.

Osmani foli edhe për marrëveshjet e arritura në Bruksel e Ohër, duke thënë se të kërkosh vetëm nga njëra palë për ta zbatuar nuk do të ndihmojë në besueshmërinë e procesit. Sipas saj, Kosova është në anën e duhur të historisë dhe po mbron demokracinë, sovranitetin, diçka që u arrit me shumë sakrifica. Osmani ka folur edhe për bashkëpunimin me aleatët e Kosovës.

“Pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve të ditëve të fundit, unë jam duke punuar shumë gjerësisht me partnerët tanë amerikanë, si dhe me partnerët nga BE-ja, dhe të gjithë jemi të të njëjtit mendim se një rrugë përpara, një zgjidhje për de-përshkallëzimin është shumë afër, por ne duhet të sigurohemi që fokusi të jetë në zbatimin e plotë të marrëveshjes, jo vetëm në një pjesë të saj”, tha ajo.