Bota

Macron telefonatë me Zelensky-n, premton më shumë armë për Ukrainën!

Presidenti francez Emmanuel Macron i premtoi presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky armë shtesë në ditët në vijim në një telefonatë mes dy liderëve, sipas një deklarate të Pallatit Elysée.

“Macron konfirmoi se dërgesat e armëve nga Franca do të vazhdojnë dhe do të rriten me intensitet në ditët dhe javët në vijim, si dhe dërgimi i ndihmës humanitare”, thuhet në deklaratë.

Macron tha gjithashtu se aplikimi i Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të “shqyrtohet” gjatë një sesioni të Këshillit Evropian në qershor. Shqyrtimi i bllokut do të bazohet në “opinionin që do të kishte dhënë Komisioni Evropian dhe në frymën e shprehur në samitin e Versajës nga të gjitha vendet anëtare që deklaruan se Ukraina ishte pjesë e familjes evropiane”.

Udhëheqësit diskutuan gjithashtu evakuimet e uzinës Azovstal si dhe “sfida e sigurisë ushqimore dhe mënyrat e mundshme për të lejuar eksportet e drithërave ukrainase, nga e cila varet një pjesë e madhe e botës për ushqimin e saj”.

Ndërkaq, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shprehur se ka pasur një bisedë telefonike “të gjatë dhe kuptimplote” me presidentin francez Emmanuel Macron për luftën në Ukrainë.

Zelenskyy shtoi se ai dhe Macron kishin diskutuar gjithashtu çështjen e furnizimeve me karburant në Ukrainë dhe mbështetjen e mbrojtjes nga Franca.

“Tregova për rrjedhën e armiqësive, operacionin për të shpëtuar ushtrinë nga Azovstal dhe vizionin e perspektivës së procesit të negociatave. Ngrita çështjen e furnizimit me karburant në Ukrainë. Ne diskutuam gjithashtu mbështetjen e mbrojtjes nga Franca, përgatitjen e paketës së 6-të të sanksioneve, mënyrat e mundshme për të eksportuar produkte bujqësore ukrainase. Mbajtëm një diskutim thelbësor për aplikimin tonë për statusin e një kandidati për anëtarësim në BE”, shkruan Zelensky.

Biseda telefonike mes dy presidentëve zgjati një orë e 10 minuta, sipas Pallatit, dhe ishte “e gjatë dhe thelbësore”.