Bota

Macron: “Vendi do të luftojë me koronavirusin deri në mesin e vitit të ardhshëm”

Presidenti Emmanuel Macron paralajmëron francezët se vendi do të luftojë me koronavirusin të paktën deri në mes të vitit të ardhshëm, pasi rastet me COVID-19 kaluan shifrën një milion.

Në 24 orë, Franca regjistroi mbi 40 mijë infektime e 298 viktima. Rritje ka dhe në shtete të tjera europiane. Në Gjermani raportohen mbi 10 mijë persona që e humbën betejën me sëmundjen e më shumë se 403 mijë raste.

Rritje ka në shumë vende, përfshirë Italinë fqinje, Belgjikën, Rusinë, Zvicrën e Poloninë, ku presidenti polak Duda rezultoi pozitiv me COVID-19. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se rritja e rasteve në Evropë erdhi në një moment kritik të luftës kundër virusit. OBSH-ja bëri thirrje për veprim të shpejtë për të parandaluar mbingarkesën e shërbimeve shëndetësore.

Infeksionet ditore në Evropë janë dyfishuar në 10 ditët e fundit. Kontinenti ka shënuar një total prej 7.8 milionë rastesh dhe rreth 247,000 vdekje. Më shumë se 42 milionë raste të reja dhe 1.1 milion vdekje janë shënuar në gjithë botën.