Film & Tv

“Mademoiselle C” Njihuni me Anna Wintour-in e Vogue-ut francez dhe historinë saj (jo)frymëzuese. Kritikë.

Është e qartë se njerëzit që jetojnë në fushën e modës kanë një jetë krejt tjetër nga ne të vdekshmit e zakonshëm. Kjo bëhet e qartë tek dokumentari i Fabien Constant kushtuar kryeredaktores së botimit francez të revistës ‘Vogue‘ – “Mademoiselle C” (2013). Ngjashëm me “The September Issue” (2009), hiq dramën që këtu mungon – si edhe faktin që Carine Roitfield është më e dashur me kamerën sesa Wintour, ky është një film për të gjithë dijetarët e modës, vetëm për ta! Të tjerët do kruajnë kokën.

Filmi tregon historinë menjëherë pas dorëheqjes së Roitfield nga Vouge për t’iu dedikuar librit të saj sezonal për modën CR Fashion Book. Edhe pse stresi për realizimin e këtij libri ishte i madh (në një pikë Vogue e ndaloi atë të botonte librin, madje çdo fotograf, stilist apo model që punonte me Vogue, u tërhoq nga frika se mos nuk do punonte më me revistën botërore – shumë alla Djalli Vishet me Prada), 58 vjeçarja e cila në një moment duket të bëjë sparkatën, nuk djersitet shumë.

Është shumë interesante të shohësh në punë disa prej bashkëpunëtorëve të saj më të afërt, i ndjeri Karl Lagerfeld, Bruce Weber, Donatella Versace dhe Tom Ford i cili e ka konsideruar Roitfield si muzën e tij femërore kur vjen puna tek koleksionet. Të tjerë personazhe të njohur që shfaqen [edhe flasin në film] janë Kanye West, Sean Combs, Sarah Jessica Parker (kjo e fundit sepse ja donte detyra).

Dokumentari tregon edhe anën e Carine si nënë me zërin e djalit të saj, i cili e quan një ‘MILF’ (Mom I like to f**k) [e zeza], anën si partnere e të njëjtit burrë për tridhjet vite, diçka e rrallë kjo në industrinë e modës dhe showbizit. Vajza e saj është më e ekspozuar dhe e përfshirë në këtë aventurë të xhiruar, si edhe frymëzimi i botimit të parë të CRFB, prej shtatzanisë së saj.

I paformë, filmi nuk arrin asnjëherë ndonjë moment të lart narrativ, as nuk tregon protagonisten e tij përtej fasadës, por merret me gjëra sipërfaqësore, njësoj si çadra nën të cilin ndodhet… (5 minuta harxhohen duke treguar një nga hobit e Carine për të koleksionuar ora me ‘Minnie Mouse’) [‘nough said].

Gjithashtu skena të gjata photo-shoot-esh, që përfshijnë një modele nudo në një varrezë (shumë media e quajtën një skandal në atë kohë), apo një Kate Upton fare të njomë duke u fotografuar në një variant ferme të “The Wizzard of Oz”. Por kulmi – që e bën dokumentarin disi qesharak, dhe Carine disi provinciale – është një xhirim me telefonin e saj në ‘Met Gala‘ (një ceremoni ku ndalohet rreptësisht përdorimi i telefonave organizuar nga Anna Wintour e Vogue, USA) në tavolinën ku po darkonin Beyonce, Gisele Bündchen, Tom Brady dhe James Franco.
Po aq kulm – një moment i papërsëritshëm – gjithmonë për konsumuesit e rregullt të modës – është pamja prej vampiri të embël të Karl Lagerfeld kur kujdeset për nipin e Carine.

Carine vazhdon të botojë librin e saj, së fundmi ka nxjerrë edhe një parfum, dhe ka një instagram me 2.2 milion followers. (sa Luana Vjollca, më pak se Tan Brama)

Në vitet kur reels-et e Instagramit nuk ekzistonin, ky film dokumentar mund të kishte qënë fare mirë një reels.