Dimri i transformon vendet duke i bërë edhe më magjikë. Në të gjithë botën ka fshatra të vegjël ku mjafton rënia e dëborës që të ngjajnë si libra me përralla. Vështirë t’i rezistosh magjisë së tyre, por për t’i imagjinuar, duhet t’i zbulojmë.
SHIRAKAWA-GO, Japoni – Fshati historik Shirakawa-go me Gokayama-n fqinje, prej 26 vitesh bën pjesë në pasuritë e mbrojtura nga UNESCO. Në të dy fshatrat, shtëpitë kanë çati që të kujtojnë dy duar të bashkuara në lutje. Forma e veçantë dhe kashta në përbërje, bëjnë që këto shtëpi t’i përballojnë reshjet e dendura të dëborës.
ZHENYUAN, Guizhou, Kinë – Ndryshe njihet si Venecia e Guizhou-t, meqë qyteti i lashtë ngrihet në brigjet e lumit Wuyang e ofron pamje mahnitëse. Me histori rreth 2300 vjeçare, qyteti ndahet në dy pjesë nga lumi e rrethohet nga male, ndërsa nuk mungojnë ndërtesat historike frymëzuese. Ujërat e lumit ofrojnë imazhe magjike.
GÖREME, Turqi – Eshtë qyteti i “Oxhaqeve të zanave”, formacioneve karakteristike shkëmbore në formë piramide. Fshati, bashkë me Parkun Kombëtar të Göremes, përfshihet në pasuritë që mbrohen nga UNESCO prej vitit 1985 e është një prej vendeve më të prezantuar në Instagram në Turqi.
SIGHISOARA, Transilvani, Rumani – Sighișoara ka një qendër historike të ruajtur në mënyrë perfekte për strukturën karakteristike të kështjellave mesjetare. Mes ndërtesave që formojnë qendrën historike, me interes të veçantë janë shtëpitë e artizanëve ku ende ruhen mjediset me pajisjet e punës.
STRASBURG, Francë- Qyteti ka një qendër historike magjepsëse që në dimër bëhet magjike. Kur afrojnë festat e fundvitit, gjithçka vishet me zbukurime e drita shumëngjyrëshe. Jo më kot, aty gjendet një prej tregjeve më të mëdhenj, shumëngjyrësh e të famshëm në Europë. Gjithçka shtrihet nën këmbët e Katedrales madhështore.
HALLSTATT, Austri – Këtu jemi në një fshat të vërtetë përrallor, me shtëpitë e shekullit të 16-të që pasqyrojnë imazhin e tyre në sipërfaqen e liqenit me të njëjtin emër. Në rajonin e Salzkammerg-ut, malet janë imponues. Nga fshati, mund të merrni teleferikun që të çon në Salzwelten, në një minierë të vjetër kripe, me një liqen nëntokësor.
REINE, Norvegji – Reine është një port i vogël peshkatarësh në jug-perëndim të qytetit Moskenes, në ishujt Lofoten në Norvegji. Gjendet në pjesën e sipërme të Rrethit Polar Arktik dhe është një prej vendeve më të famshëm e të fotografuar në Europën veriore. Eshtë perfekt për të admiruar spektaklin e aurorës boreale në muajt e dimrit, si dhe diellin e mesnatës në sezonin veror.
BIBURY Mbretëria e Bashkuar – Një rresht i rregullt vilash të vogla prej guri që datojnë shekullin e 14-të, të sistemuara përgjatë brigjeve të lumit Coln. Dikur të ndërtuara në formë vathash e më vonë, duke filluar nga shekulli i 17-të, të shndërruara në banesa që përbëjnë Arlington Row, një nga rrugët më të famshme e më të fotografuara në Mbretërinë e Bashkuar, në një fshat të përcaktuar nga shkrimtari William Morris si “më i bukuri në Angli”.