Rajoni

Mali i Zi kurorëzon martesën e parë gay!

Ministrja e Administratës Publike dhe Medias, Tamara Srzentic njoftoi kurorëzimin në Malin e Zi të së parës martesë të personave të së njëjtës gjini.

Srzentić u shpreh e lumtur që zyrtarisht kishte filluar zbatimi i Ligjit për Partneritet të Jetës dhe i uroi partnerëve, lumturi e shumë dashuri.

Para tetë vitesh, në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara u kurorëzua martesa e parë e të njëjtës gjini mes Chris Perry e Sandy Stier. Në atë kohë, punoja në administratën e shtetit të Kalifornisë dhe Chris ishte shoqja e bashkëpunëtorja ime prej shumë kohësh. Unë e di sa e rëndësishme ishte ajo ditë për to dhe një hap i madh për Kaliforninë.

Sot është ditë e rëndësishme për komunitetin LGBTIQ dhe jam krenare që partneriteti i parë i njerëzve të së njëjtës gjini është realizuar në vendin tonë!

Ministrja Srzentic shprehu bindjen se çdo njeri ka të drejtë të ndërtojë jetën në përputhje me ndjenjat e brendshme. Sipas saj, “administrata publike duhet të krijojë politika të qarta e të sigurojë zbatimin, që çdo njeri të ndihet i respektuar në mënyrë të barabartë”.

Edhe pse Ligji për Partneritetin Jetësor të Personave të Gjinisë së Njëjtë u miratua një vit më parë, Srzentic theksoi se duhet bërë shumë më tepër që të plotësohen të gjitha kushtet për zbatimin e tij të plotë.

Komuniteti LGBTIQ gjithmonë do të ketë një partner dhe aleat tek unë për të gjitha aktivitetet që kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës të anëtarëve të këtij komuniteti, si dhe promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të tyre!