Aktualitet

Mallra të falsifikuar e shërbime të piratuara, Shqipëria mes vendeve ku Europol-i mbylli mijëra faqe!

Një operacion i gjerë i Europol-it në 27 shtete përfshirë vendin tonë, si dhe Kosovën çoi në mbylljen e 12 mijë e 500 faqeve online.   Të gjitha këto faqe ofronin mallra të falsifikuar ose shërbime të piratuar. Në njoftimin zyrtar të Europol-it thuhet:

Problemet kryesore në faqet online vazhdojnë të jenë shkeljet e pronësisë intelektuale në markat tregtare, si dhe në përmbajtjet me të drejta autori e shërbimet e transmetimit të filmave, krahas platformave të tjera. Për pasojë, agjencitë e zbatimit të ligjit në disa kontinente mbyllën më shumë se 12 mijë faqe interneti. Po ashtu u shkëputën 32 servera të përdorur për të shpërndarë përmbajtje të paligjshme për më shumë se dy mijë kanale televizive, si dhe kanë mbyllur 15 dyqane online që shisnin produkte të falsifikuara në faqet e mediave sociale.

Për më tepër, hetuesit  sekuestruan  më shumë se 127 mijë  produkte të falsifikuara si veshje, ora, këpucë, aksesorë, parfume, pajisje elektronike dhe celularë me një vlerë më të madhe se 3.8 milion euro. Gjatë operacionit policor, u lëshuan 10 urdhra kontrolli dhe 14 persona u ndaluan. Në një aksion specifik, policia spanjolle zbuloi se i dyshuari kryesor fitonte deri në 150 mijë euro në muaj e bënte jetë luksoze në një shtëpi përrallore, me makina të shtrenjta dhe pushime ekstravagante në të gjithë botën.

Europol vë në dukje se “rrjeti kriminal iu përkushtua marketingut në shkallë të gjerë, si dhe shpërndarjes së përmbajtjes audio-vizuale pirate në internet”. Rezultatet e këtij operacioni shërbejnë si një këmbanë alarmi  për të qenë tepër të kujdesshëm kur bëni blerje në internet, për të shmangur pagesat për produktet e falsifikuara, përmes platformave jo të ligjshme.

Në një tjetër zhvillim, Parlamenti Europian dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian ranë dakord të shtrëngojnë rregullat për produktet që shiten në internet, për të mbrojtur më mirë konsumatorët. Shitësit me pakicë online, si edhe kompanitë e zinxhirit të furnizimit duhet të marrin më shumë përgjegjësi për produktet e shitura në internet, sipas një “marrëveshjeje politike tentative” të arritur. Ndër të tjera, qëllimi është që produktet e dëmshme të tërhiqen sa më shpejt në të ardhmen.

Për shembull, kjo ka të bëjë, me produktet e shitura nga shitës me pakicë në internet si Amazon në BE, por të dorëzuara nga një vend jo anëtar i Unionit Europian. Anna Cavazzini, kryetare e Komisionit për Tregun e Brendshëm dhe Mbrojtjen e Konsumatorit në Parlamentin Europian:

Si rezultat, produktet që nuk plotësojnë standardet tona të sigurisë përfundojnë në tregun e brendshëm të BE-së.