Aktualitet

Mallra të importuara si ndihmë humanitare, goditet skema e mashtrimit!

Në zbatim të luftës kundër aktiviteteve të paligjshme, kontrabandës, mospagesës së taksave dhe tatimeve, fshehjes së të ardhurave, Administrata Doganore, konkretizoi me sukses goditjen e një skeme mashtrimi-kontrabandë, në importin e mallrave të natyrës tregtare, të importuara në territorin doganor shqiptar si ndihma humanitare.

Njoftimi zyrtar:

Nga skema e ngritur, përfaqësuesi ligjor i subjektit H.D, ka importuar dhe futur në territorin doganor shqiptar sasinë prej  864.559 kg me artikuj të ndryshëm industrial, të cilat kapin vlerën prej 356.370 euro.

Vlera e detyrimeve doganore të shmangura për mallrat e përshkruar më sipër janë në shumën 34.506.839 lekë, ndërsa penaliteti për vlerën e detyrimeve të shmangura është në shumën 207.041.034 leke.

Në total, shuma e detyrimeve doganore dhe penaliteteve të shmangura janë 241.547.874 lekë.

Materialet për rastin në fjalë janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe asaj Durrës, për kryerjen e veprave penale  “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtari doganore”, “Kontrabandë me mallra me regjim të ndërmjetëm”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Fshehje të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtari kriminale” të parashikuara nga Kodi Penal.

Nga ana e Drejtorisë së Hetimit Doganor, po vazhdojnë procedurat e mëtejshme hetimore për nxjerrjen e rasteve të ngjashme.

Administrata Doganore mbetet e angazhuar  në mbështetje të  ligjshmërisë dhe biznesit të ndershëm, ndërkohë që i bën thirrje të gjithë shtetasve, subjekteve importues dhe atyre transportues, për respektimin e ligjit dhe procedurave doganore.