Rajoni

Manastiri i Deçanit, SHBA-të përsërisin thirrjet drejtuar qeverisë Kurti për zbatimin e vendimit!

Ambasada amerikane në Prishtinë sërish i bën thirrje qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga Albin Kurti, të zbatojë vendimin për tokën e Manastirit të Deçanit.

Vendimi i vitit 2016 i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka të bëjë me sundimin e ligjit, jo me etninë, politikën apo fenë. Qeveria Kurti u zgjodh mbi një platformë të përqendruar në forcimin e sundimit të ligjit. Respektimi i vendimeve të gjykatës nuk është çështje zgjedhjeje e sigurisht nuk është çështje negociatash, politikash apo arritjes së ndonjë marrëveshjeje.

Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi që t’i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit për 24 hektarë tokë. Pavarësisht se vendimet e Kushtetueses janë të formës së prerë e detyruese për të gjitha palët, ligji nuk parashikon “dënim” për mosbindje ndaj vendimeve të kësaj gjykate.

Vendimin për kthimin e pronave të Manastirit të Deçanit po refuzojnë që ta zbatojnë autoritetet lokale në Deçan, pavarësisht thirrjeve të shumta të diplomatëve amerikanë dhe europianë për ta respektuar.

Vonesat e vazhdueshme në zbatimin e ligjit vënë në pikëpyetje zotimin e Kosovës për drejtësi të barabartë, llogaridhënie, transparencë e respektim të të drejtave të pronësisë.

Autoritet në Deçan refuzojnë të lejojnë regjistrimin në kadastër të 24 hektarëve tokë dhe pyll, sepse janë të bindur se kjo pronë është e ndërmarrjeve sociale “Apiko” e “Iliria” dhe asnjëherë nuk i ka takuar manastirit. Po ashtu, vlerësojnë se Gjykata Kushtetuese e “legalizoi” vendimin e ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) Sllobodan Millosheviç të vitit 1997, kur ai vendosi që atë pronë t’ia dhuronte Manastirit të Deçanit.

Mbi këto pretendime, vazhdimisht bazohen edhe kryeministri Albin Kurti e po ashtu presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Që të dy kanë argumentuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka bazën në politikën “diskriminuese” të Qeverisë së Serbisë, nga vitet ‘90. Vitin e kaluar, Gjykata Kushtetuese i dërgoi një letër kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, ku e informoi për nxjerrjen e “Aktvendimit për Mospërmbarim” lidhur me aktgjykimin e vitit 2016, sa i përket pronës së Manastirit të Deçanit.