Aktualitet

Manastirliu kërkon njohjen e certifikatave të vaksinimit nga BE!

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e pranishme në Samitin e Ministrave të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt sot online, kërkoi njohjen e certifikatës tonë elektronike të vaksinimit nga vendet e Bashkimit Europian.

Manastirliu theksoi se situata epidemiologjike në Shqipëri është e përmirësuar dhe se njohja e përbashkët e certifikatës elektronike të vaksinimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Bashkimit Europian është e domosdoshme.

“Njohja e përbashkët e certifikatës elektronike të vaksinimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Bashkimit Europian është e domosdoshme: E para, sepse vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një nivel të ulët të përhapjes së infeksionit; e dyta, për shkak të lidhjeve të ndërsjellta dhe shkëmbimit që ekziston mes vendeve të Ballkanit Perendimor dhe vendeve të Bashkimit Europian dhe e treta, për rëndësinë strategjike që ka turizmi për ekonomitë e vendeve tona. Ndaj unë do të doja të përfitoj nga ky rast, për të sjellë në vëmendjen e kolegëve të nderuar në këtë takim, që certifikata jonë, të njihet nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian, për të ndihmuar qytetarët tanë të udhëtojnë të sigurt dhe të lirë”, tha Manastirliu.

Po ashtu, Ministrja e Shëndetësisë shtroi nevojën për një qasje të integruar dhe të unifikuar rajonale, drejt një tregu të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perendimor dhe në Bashkimin Europian, duke nisur nga sektori shëndetësor.