Aktualitet Politikë

Mandati, guri i fundit! Përpjekjet e Fredi Belerit për të dalë nga burgu

Fredi Beleri, i akuzuar për korrupsion në zgjedhjet e 14 majit, po bën përpjekjet e fundit për të dalë nga burgu, pavarësisht se Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi kërkesën e tij për zbutje të masës.

Ai i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm me kërkesë për të vërtetuar mandatin e tij si kryetar bashkie në Himarë, e cila nuk është marrë ende në shqyrtim.

Avokati i Belerit tha për Top Channel se do t’i drejtohet me urgjencë Gjykatës së Lartë në mënyrë që ata të shprehen brenda 45 ditëve.

“Klienti im kërkon të shkojë në Himarë pranë qytetarëve që do t’u shërbejë dhe nuk ekziston asnjë mundësi ikjeje”, deklaroi avokati Edmond Dema.

“Me vendimin nr. 611 datë 25.05.2023 Komisioni Qëndror Zgjedhor ka vendosur: 1. Dhënien e mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë, Qarku Vlorë, z. Dhionisios (Alfred) Beleri, të propozuar nga subjekti zgjedhor Koalicioni “Bashkë Fitojmë”. 2. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen elektronike zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në nenin 60/1 të ligjit nr. 139/2015 të ndryshuar parashikohet se: “1. Mandati i kryetarit të bashkisë vërtetohet nga gjykata e rrethit gjyqësor, (dhoma civile) në juridiksionin e së cilës përfshihet bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjes së tij.” Kërkuesi, me anë të kësaj kërkese, i drejtohet Gjykatës Kompetente me qëllim vërtetimin e mandatit të tij, brenda afatit të parashikuar në ligj. Bashkëngjitur kërkesës: – Vendimi nr. 611 datë 25.05.2023 I Komisionit Qëndror Zgjedhor”, shkruhet në kërkesë.

Beleri është kryebashkiaku i parë në historinë zgjedhore që fiton në zgjedhje, ndërsa ndodhet në burg. Për të nuk ka ende një vendim dënimi të formës së prerë nga gjykata, ndërsa ende nuk e ka bërë betimin në Këshillin Bashkiak.

Nëse ai nuk betohet apo nuk paraqitet për tre muaj në bashki, mund ta humbasë mandatin dhe të shkarkohet.

Nga ana tjetër, Këshilli Bashkiak mund të bëjë kërkesë për shkarkimin e tij, por vendimi merret nga Këshilli i Ministrave.

Sot Apeli i GJKKO-së rrëzoi kërkesën e Belerit për masë më të butë sigurie, duke lënë në fuqi masën e GJKKO-së, “arrest me burg” nën akuzën e shitblerjes së votave në Himarë më 12 maj, pak ditë nga dita e zgjedhjeve.

Ndërsa për bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshi, gjykata caktoi masën “detyrim paraqitje” për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.