Aktualitet

Mandati i Olta Xhaçkës, PD i drejtohet Kushtetueses për rrëzimin e vendimit të Kuvendit!

Në Gjykatën Kushtetuese, Partia Demokratike depozitoi kërkesën për kundërshtimin e vendimit të djeshëm nga Kuvendi si dhe atë për konstatimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën të mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Deputeti Agron Shehaj tha se “maxhoranca e shndërroi Kuvendin në mburojë për të korruptuarit e qeverisë”.

Ky është një akt shumë i rëndë, e megjithatë, jo surprizë për ne sepse në këto 10 vjet, kjo maxhorancë ka shfrytëzuar pushtetin për të vjedhur dhe për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe me pas kanë përdorur kartonat e Parlamentit si mburojë për korrupsionin e tyre. Ministrja Xhaçka nuk mund të jetë njëkohësisht  edhe Ministre e Jashtme, edhe investitore strategjike. Nuk mund të jetë edhe deputete, edhe pronare e plazhit publik. Ndaj i takon Gjykatës Kushtetuese të marrë vendimin formal, të asaj që ligji e Kushtetuta e diktojnë fare qartë.

Në seancën plenare që përfundoi pas mesnatës, u paraqitën dy raportet e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes, Olta Xhaçka.

Deputeti Gazment Bardhi, paraqiti draft-raportin e grupit parlamentar demokrat, ku mes të tjerash theksoi:

Pas konstatimit të fakteve dhe analizës ligjore është konkluduar se Xhaçka ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë, të përcaktuar në Kushtetutë, çka duhet të sjellë edhe përfundimin e mandatit të saj si deputete. Kuvendi ka detyrimin ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, në respekt edhe të praktikës së ndjekur më parë.

Deputetja socialiste, Klotilda Bushka, paraqiti draft-raportin e shumicës mbi kërkesat për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Për sa parashtrohet në dy kërkesat për mocion e në referim të parashikimeve kushtetuese, nuk ndodhemi përpara rastit kur duhet vënë në lëvizje Gjykata Kushtetuese. Nga aktet e depozituara prej kërkuesve të dy mocioneve, nuk rezulton që për deputeten Olta Xhaçka e bashkëshortin e saj të plotësohen kriteret kushtetuese për vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese.

Raporti i grupit parlamentar demokrat u rrëzua me 21 vota pro, 73 kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa i grupit parlamentar socialist u miratua me 73 vota pro, 21 kundër e asnjë abstenim.