Aktualitet

Manifestim në Tiranë për solidarizim me Ukrainën!

Për sot në mesditë, komuniteti ukrainas ka thirrur një manifestim të madh në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në mbështetje të Ukrainës dhe popullsisë që po përballet me agresionin rus prej 24 shkurtit. Për shkak të tubimit, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake ka marrë masa për kufizimin e qarkullimit të automjeteve në disa rrugë të kryeqytetit nga ora 12:00 deri në 15:00.

Kufizime do të ketë në segmentet: Bulevardi “Bajram Curri”, segmenti nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova” deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”; bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, segmentin nga kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri” deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”; bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, segmenti nga “Sheshi Skënderbej” deri në bulevardin “Bajram Curri” (përkohësisht në intervalin kohor përgjatë marshimit).

Ndërsa qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të behet, në akset: rruga “Ibrahim Rugova”, bulevardi “Zhan D’Ark”, rruga “Ismail Qemali” dhe rruga “Papa Gjon Pali”.

Itinerari i lëvizjes së mjeteve të linjave urbane do të vazhdojë lëvizjen si më poshtë: linja e Unazës do të devijohet në urën e Drejtorisë së Policisë dhe në urën e Rrugës së Elbasanit, (vetëm për sensin antiorar); linja “Tirana e Re” do të devijojë te sheshi “Wilson” dhe tek “UFO”.