Bota

Manjati i çipave Zhao Weiguo akuzohet për korrupsion!

Rregullatori kundër mashtrimit në Kinë ka akuzuar manjatin e çipave Zhao Weiguo për korrupsion, në paralajmërimet e fundit të telasheve me të cilat përballet industria e gjysmëpërçuesve të vendit. Zhao është ish-kryetar i prodhuesit të çipave kompjuterikë Tsinghua Unigroup.

Ky sektor u hetua për korrupsion vitin e kaluar pasi qeveria ndau miliarda dollarë në projekte të cilat ngecën ose dështuan. Zhao dhe “Tsinghua Unigroup” nuk iu përgjigjën kërkesave të BBC për koment. Në një deklaratë, Komisioni Qendror për Inspektimin e Disiplinës pretendon se Zhao e mori kompaninë shtetërore që ai menaxhonte si biznes të tij privat.

Rregullatori thotë se ai iu dorëzoi biznese fitimprurëse të afërmve dhe miqve të tij dhe bleu mallra dhe shërbime nga kompanitë e menaxhuara nga bashkëpunëtorët e tij me çmime dukshëm më të larta se tregu. Çështja e Zhao-s, iu është dorëzuar prokurorëve që do të ngrenë akuza kundër tij.

Ndërkaq, Koreja e Jugut thotë se do të ndërtojë një strukturë të madhe për prodhimin e çipave kompjuterikë në zonën më të madhe të Seulit, me rreth 230 miliardë dollarë investime nga gjiganti i çipave të memories Samsung Electronics. Planet u njoftuan nga presidenti Yoon Suk Yeol dhe u konfirmuan nga gjiganti i elektronikës.

Rikujtojmë, se Taiwan Semiconductor Manufacturing Co Ltd (TSMC), prodhuesi më i madh në botë i çipave me kontratë, do të rekrutojë më shumë se 6,000 staf të ri në vitin 2023. Nxitja e punësimit vjen pavarësisht nga një rënie globale në industrinë e çipave. Sipas TSMC, kompania do të kërkojë inxhinierë të rinj me diploma bachelor, master ose doktoraturë në inxhinieri elektrike ose fusha të lidhura me softuerin, në qytete në të gjithë Tajvanin.