Aktualitet Rajoni

Maqedonia e Veriut vendos të shmangë qeset plastikë, dy të tilla kushtojnë sa një bukë!

Duke nisur nga sot në Maqedoninë e Veriut ndalohet përdorimi i qeseve plastike, përveç atyre biodegraduese. Por, tashmë qytetarëve do t’u duhet të paguajnë 15 denarë, apo rreth 25 cent.

Shumica e tyre bien dakord me vendimin për heqjen e qeseve të plastikës pasi thonë se kështu do të mbrohet ambienti. Por, gjendja ekonomike i frenon që të përkrahin këtë nismë, e cila duket e shtrenjtë.

“Po flasim gjithmonë për ekologji, patjetër. Vendimi është i mirë, por shteti nuk është. Çmimet janë shumë të larta. Kjo është punë e mirë, por mundësia është e vogël. Ekonomia nuk është në rregull”, thotë një qytetare.

Ekologjistët shprehen se ky vendim duhet të ishte marrë prej kohësh dhe presin që të shpejtohet drejt vendimit për heqjen e plastikës nga përdorimi në mënyrë të tërësishme.

Inspektorët e tregut do të kontrollojnë nëse ligji po zbatohet siç është parashikuar, nëse tregtarët mbajnë shënime për numrin e qeseve të shitura sipas çmimit të përcaktuar prej 15 denarësh, dhe në rast se vërejnë shkelje mund të vendosin gjoba prej 1.000 deri në 20.000 euro, në varësi të madhësisë së kompanisë dhe llojit të shkeljes.

Duke nisur nga sot, për herë të parë vendoset edhe ndalesa e përdorimit të paketimeve plastike për një përdorim në zonat e mbrojtura.

Të ardhurat e mbledhura nga rritja e çmimit për qeset biodegraduese do të shfrytëzohen për një fond të posaçëm për mjedisin jetësor.