Aktualitet

“Maratona 2021”, rrugët që bllokohen nesër në Tiranë, në orarin 07:00-17:00!

Edhe pak orë na ndajnë nga “Maratona e Tiranës” 2021, ku në këtë edicion të 5-të, Bashkia ka organizuar një sërë aktivitetesh. Marrin pjesë 2.500 vrapues nga vende të ndryshme të botës dhe gara e vrapimit ndahet në 4 kategori: “Marathon” do të jetë 42.1 kilometra, “Half Marathon” me gjatësi 21 kilometra dhe “Tirana 10K” e “We Too” që më shumë se motivuese janë konkurruese. Fituesit sipas këtyre kategorive, vlerësohen me çmime që variojnë nga 300 në 5 mijë euro. Gjithashtu, kryebashkiaku Erion Veliaj ka njoftuar mbajtjen e 7 koncerteve krahas maratonës.

Për të siguruar mbarëvajtjen e aktiviteteve, nesër do të ketë kufizim të qarkullimit të makinave, nga ora 07:00 deri në 17:00. Me përjashtim të automjeteve të emergjencës e të Policisë së Shtetit, ndalohet lëvizja nga Sheshi “Nënë Tereza” te Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, si dhe te rrugët  “Gjergj Filipi”, “Papa Gjon Pali II”, “Ismail Qemali”, e Elbasanit, “George W. Bush” e “Abdi Toptani”. Po ashtu, në bulevardet “Zogu I”, “i Riu”, “Zhan D’Ark” e “Bajram Curri” dhe më tej në rrugët “Ded Gjo Luli”, e Durrësit, e Kavajës, “Myslym Shyri” e “Ibrahim Rugova”. Qarkullimi i automjeteve ka nisur të devijohet e Policia Bashkiake Tiranë, hoqi automjetet në rrugët ku nuk lejohet qëndrimi i tyre.

“Maratona e Tiranës” u parapri sot nga gara “Fun Run” me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të gjimnazeve. Ata vrapuan nga Sheshi “Nënë Tereza”  deri te ai “Skënderbej”, ku u ndanë çmimet për fituesit.

Për vajza, “Fun Run” u fitua nga Alesia Dauti, ndërsa në vend të dytë e të tretë dolën Ema Fataj dhe Irena Xhaja. Nga djemtë, i pari doli Edi Devole, në vend të dytë Hajrulla Tola e në të tretin, Parid Hoxha.