Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Art & Kulturë Film & Tv

“Mare of Easttown” – seriali i zhanrit dramë/krim i HBO është i shkëlqyer për këto arsye… Kritikë.

Kate Winslet është një hetuese në një qytezë të amerikës që (nuk) njohim, në një serial i cili përshkruan në mënyrë briliante të gjithë komunitetin dhe lidhjet e tyre. Është mbase fillimi i një mënyre të re të realizimit të një seriali që i rri për-shtat vendeve të vogla dhe banorëve (shumë) të lidhur me njëri – tjetrin. Madje çudi si nuk i ka shkuar kujt në mendje…

Është një skenë në episodin e dytë që të ngel në mendje, ngel me ty edhe pasi e ke mbaruar së pari. Mare, personazhi kryesor (Kate Winslet), pasi gjen një banore (që e njeh) të vrarë në një përrua bëhet gati t’i tregojë babait të viktimës. “Po shkoj ti tregoj Kenit çfarë ka ndodhur, po dua që Xhon dhe Billi të më takojnë aty” – i thotë ajo shoqes së saj të ngushtë në telefon – “Do ishte mirë ti kishte kushërinjtë aty kur ta marrë vesh kupton”. Kur Keni (Patrick Murney) mëson çfarë i kishte ndodhur të bijës, mbyll sytë, tund kokën, dhe shpërthen në ulërima dhe thyerje gjërash, me dy burrat që mundohen ta qetësojnë. Mare e shikon skenën e dhembshur nga larg por jo e surprizuar. Ajo e dinte ekzaktësisht reagimin e Kenit, dhe e dinte mirë që nuk duhet të ikte e vetme me lajmin e kobshëm pasi do të kish qënë krejtësisht e pambrojtur karshi lëngatës së një babai që sapo kishte humbur të bijën.

Një dramë dekonspirohet shumë nga vendngjarja. Disa syresh të viteve të fundit të cilësuara me superlativitet kanë përdorur vendin për amplifikim të impaktit dramatik. Përshëmbull dallgët troshitëse tek “Broadchurch”, lagështira opresive e perëndimit të mesëm tek “Sharp Objects, apo malet primitiviste dhe ngulçuese tek “Top of the lake”. “Mare of Easttown” shkon përtej; vendi është konteksti pa të cilin ngjarjet do të ngjanin klishe, lidhjet e vendasve me vendin është po aq e rëndësishme me çfarë thonë, bëjnë dhe arsyet pse marrin ato vendime që marrin. Në episodin e parë duket se vendi ku hetuasje Mare punon, është i qetë e i rëndomtë, thuajse nuk ndodh asnjëherë asnje, kjo nëse nuk do marrësh parasysh telefonatat e të moshuarve ‘se kanë parë diçka’ apo të ngjashme me këto. Vrasja në Easttown është e rrallë deri në absurd. Po aq absurde sa ta jetosh këtë vend pa dhunën e vazhdushme dhe specifike për qytezat e vogla kudo në botë.

E vendosur në perëndim të Filadelfias, në kontenë Delaware, Mare (Winslett) është pasqyrim i vendit, një personazh stoik, i paqëndrueshëm, i nënvlerësuar. Atë e gjejmë duke hetuar zhdukjen e një nëne të re, Erin (Cailee Speany) një rast i cili ka zgjatur më shumë se një vit pa asnjë shpresë për zgjidhje. Banorët e qytezës kanë aq pak besim tek policia vendase saqë autoritetet vendosin të marrin një dedektiv nga një qytet më i madh, Kolin (Evan Peters) i cili duket larg nuhatjes së Mare. Pavarësisht të pakënaqurve ajo është shumë afër komunitetit, duke kuptuar ku duhet dhe ku jo të ndërhyjë – si në rastin e një hajduti të droguar, që në vend ta çojë në rajon, e çon në një qendër strehimi. E në të njëjtën kohë kur një adoleshente është e dyshuar për vrasje – pas një videoje që tregon atë duke ushtruar dhunë mbi viktimën – Mare nuk heziton të bëjë një skenë duke arrestuar atë në sy të të gjithëve. Kjo të bën të mendosh: kur një njeri i shërben dhe ka marrëdhënie miqësore me shumë prej banorëve, sa do të jetë në gjëndje të zbatojë ligjin njësoj për të tërë – sa do ta ketë të mundur të jetë e drejtë dhe e barabartë me të tjerët….

Në serialet amerikanë janë të rralla rastet e personazheve si Mare – personalitete të forta që fshehin dhimbje të mëdha dhe janë aq të vërteta sa nuk di ta ndash mendjen nëse janë heronjtë apo të këqinjtë; ndryshe ndodh në Angli; – Sarah Lancashire – Catherine Cawood – “Happy Valley” (BBC/Netflix), është një përsonazh që të kujton shpesh Mare. Të dyja kanë humbur fëmijët dhe ndërkohë fshehin dhimbjen e tyre duke përballuar dhimbjet e punës së përditshme, të dyja janë duke rritur nipër/mbase me një lloj dashurie të ngarkuar me diçka tjetër që s’dimë çfarë emri ti vëmë, dhe të dyja janë një tregues therrës i çfarë mund ti bëjë një familje varësia nga droga & alkooli. Jo të gjithë janë ndarë të kënaqur nga seriali – jo aq për të tërën e tij sesa për zgjedhjet e personazhit kryesor – e cila, mbase, vetëm sepse është gruas matet me një tjetër metrikë. Ajo që vlen të theksohet është sa shumë e ka zvogëluar veten Winslet për t’ju përshtatur një roli, bashkë vizualisht dhe shpirtërisht duke qënë ajka e një pjate fantastike dramatike për të cilën do t’ju vijë keq që nuk ka më….

“Mare of Easttown” është një serial me thuajse të gjithë personazhet e zhvilluar deri në detaje të imëta (këtu mund të përjashtojmë personazhin e Guy Pearce) – Mamaja e Mare, Helena (Jean Smart) është një puhizë komiciteti e nevojshme, Kolin është Idealist dhe i palodhur, ndryshe nga cinizmi dhe dembelizmi i Mare, ndërsa shoqja e saj e ngushtë Lori (Julianne Nicholson) është lima zbutëse e këndeve abrazivë të Mare. HBO vazhdon nivelin e lartë të dramave tronditëse dhe argëtuese në të njëjtën kohë si “The Undoing” apo “True Dedective”.

Brad Ingelsby, krijuesi i serialit, është rritur në vendin ku xhirohet historia dhe çdo gjë në kuadër është kuruar në mënyrë mbresëlënëse duke rritur autenticitetin e historisë, por duke mos të hutuar nga thelbi në asnjë moment. Në një cep të harruar të Amerikës, ngjashëm me cepat e harruar të gjithë botës, një qytezë dhe frymuesit e saj po vuajnë – dhe një grua po bën të pamjaftueshmen dhe joperfekten për t’i ndihmuar, ata dhe veten.. Larg kritikës tallëse të “Hillbilly Elegy” apo rivalitetit psikopat të “Ozark” – “Mare of Easttown” është një portret realist i një ngjarje që mund të kishte ndodhur kudo, dhe me njerëz që do ishin sjellë njësoj … ose mbase jo! Avantazhi ynë është se e shohim historinë nga ekrani i vogël dhe nga rehatia e divanit – edhe pse me rrënqethjen e pashmangshme.