Aktualitet

“Marifetet” për futjen e drogës në burgjet shqiptare.

Nga dozat e kanabisit që zëvendësojnë bërthamat e ullinjve e shollën e atleteve, tek telefonat celularë në tubin e një porte futbolli. Këto janë disa nga përpjekjet e “çmendura” për të futur sende të jashtëligjshme brenda burgjeve në vend. A2 CNN sjell video të disa prej tentativave të dështuara për shkak të pikasjes nga kontrollet policore.

Futja e drogës, apo sendeve të palejuara në qelitë e burgut, përpos sfidimit së ligjit kërkon imagjinatë. Në një palë atlete, që i janë dërguar nga jashtë një të dënuari në burgun e Fierit, sholla e tyre është mbushur me porcione kanabisi. Gati 40 doza, nuk mbërritën dot në destinacion, pasi u pikasën nga kontrolli policor.

Ullinjtë mund të jenë një nga ushqimet në të zakonshme, që iu dërgohen të burgosurve të burgut të Fierit nga familjarët, por jo si këta në foto. Bërthamat e tyre zëvendësuar me doza kanabisi.

Nuk mungojnë edhe rastet kur imagjinata e dërguesve le për të dëshiruar… Në burgun e Lezhës, policët kanë zbuluar një sasi kanabisi në kornizën e një dere të institucionit.

Droga nuk është i vetmi mall që tentohet të kontrabandohet në qeli. Para se të sharrohej nga autoritetet e burgut të Fierit, brenda një tubi që përdorej si portë futbolli, që do të futej brenda ambienteve të institucionit, ishin fshehur aparate telefonikë dhe gërshërë.

Ndërsa në një tjetër rast, një bidon uji i dërguar me postë në burgun e Fushë-Krujës, nuk përmbante vetëm ujë. Dërguesi ka ndërtuar një mur ndarës të kamufluar nën etiketë dhe e ka mbushur pjesën tjetër me raki. Për të gjitha rastet, dërguesit dhe pritësit janë proceduar dhe përballur me drejtësinë për veprën penale të “futjes, ose mbajtjes së sendeve të jashtëligjshme në burg”.