Bota

Marine Le Pen mohon favoret nga Putin në komisionin parlamentar në Francë !

Liderja e të djathtës franceze Marine Le Pen ka dëshmuar sot para komisionit hetimor parlamentar të ndërhyrjeve të huaja, për lidhje të mundshme të partisë së saj ‘Mitingu Kombëtar’ me Rusinë.

Në qendër të diskutimeve ishte një hua 9.4 milionë euro që partia e saj ka marrë nga një bankë ruso-çeke, e cila vijon ende të paguhet.

“Nëse kjo do më mbante të përkushtuar për diçka, nuk do ta kisha marrë huanë,” tha Le Pen duke mohuar kushtëzimin e saj apo partisë së saj nga ndërhyrjet.

Le Pen shtonte se mori huanë kur partia e saj ishte në vështirësi financiare dhe aktiviteti politik ishte në rrezik.

“Ne nuk kemi asgjë për t’u penduar në këtë çështje. Huaja është tërësisht e ligjshme dhe e verifikueshme”, tha ajo mes të tjerash.

Thirrja e dëshmisë publike të Marine le Pen u bë nga shumica qeveritare e Macron dhe nga drejtuesja e komisionit Constance Le Grip, e koalicionit të Macron, “Rilindja”.

Huaja me origjinë ruse është në qendër të kritikave të kundërshtarëve të Le Pen, dhe kryesisht e Macron, e cili ka thënë se “kur Le Pen flet për Rusinë, flet për bankierët e saj”.

Në një seancë të ngjashme 15 ditë më parë, ish-deputeti i partisë së saj Jean-Luc Schaffhauser tha se Marine Le Pen i kishte besuar negocjatat e partisë për mbylljen e çështjes së huase me bankat ruse.

Ish-deputeti shpjegonte se pas refuzimit të të gjitha bankave perëndimore “ne mund të gjenim paratë vetëm te pala kineze, Irani ose Rusia”.